Ndërkohë që Turqia vijon të procedojë me blerjen e sistemit rus të mbrojtjes nga raketat, pavarësisht këmbënguljes së Shteteve të Bashkuara për të hequr dorë, ka ardhur edhe reagimi i parë i Uashingtonit.
Kështu një zëdhënës i Pentagonit njoftoi se është bllokuar dërgimi i pajisjeve që lidhen me avionët luftarakë F-35, çka shënon hapin e parë të SHBA-ve për të bllokuar dërgimin te aleati i NATO-s, këtë lloj avioni.
Në ditët e fundit, zyrtarët amerikanë u thanë homologëve të tyre turq se nuk do të marrin dërgesa të mëtejshme të pajisjeve të lidhura me F-35, që nevojiten për t’u përgatitur për ardhjen e avionit “të fshehtë”, njoftoi Reuters të hënën, duke cituar dy burime të njohura me situatën.
Presidenti turk, Tayyip Erdogan, ka refuzuar të tërhiqet nga blerja e planifikuar e Ankarasë nga Rusia, të një sistemi mbrojtjeje raketore, S-400, që Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të kompromentonte sigurinë e avionëve F-35.
“Në pritje të një vendimi që Ankaraja zyrtare të heqë dorë nga blerja e S-400, u pezulluan dërgesat dhe aktivitetet që lidhen me ngritjen e aftësisë operacionale F-35, në Turqisë”, tha Koloneli i Forcave Ajrore, Mike Andrews, në cilësinë e zëdhënësit të Departamentit të Mbrojtjes.
Mosmarrëveshja mbi avionët F-35 është e fundit e një serie mosmarrëveshjesh diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, duke përfshirë kërkesat e Ankarasë që ShBA-të të ekstradojnë klerin islamik Fethullah Gulen, dallimet mbi politikën e Lindjes së Mesme, dhe luftën në Siri e sanksionet mbi Iranin.
Top Channel