“Niveli i sigurisë në Shkodër është sfiduar”. Me këto fjalë ka nisur prezantimin e prefektit të ri të qarkut, Valdrin Pjetri, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Por duke ditur situatën e rënduar të kriminalitetit në qytetin e Shkodrës, vëmendja sigurisht që do të fokusohej atje.
“Kemi pasur goditje të forta të sigurisë në Shkodër si pasojë e forcës së krimit në një qytet që njihet për kulturë dhe traditë. Për fat të keq është goditur nga krimi i akumuluar ndër vite, por besoj se drejtori i ri i Policisë, së bashku me stafin e ri dhe përforcimin nga Ministria e Brendshme, do të bëjë që niveli i sigurisë të kthehet në normalitet”, tha ministri Lleshaj.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të bëhen palë me policinë për denoncimin e grupeve kriminale, për të rivendosur kështu qetësinë dhe harmoninë, e për të përmirësuar jetën e qytetarëve shkodranë.
Por, në takimin e mbajtur në Prefekturën e Shkodrës, ministri Lleshaj është kundërshtuar ashpër nga kryebashkiakja Voltana Ademi.
“Nuk duhet të mjaftohemi me thënien se kjo apo ajo vrasje është larje hesapesh, siç bëtë ju një ditë më parë. Këtu duhet ndërhyrja e shtetit për të përmirësuar situatën në Shkodër. Asgjë nuk është si më parë në këtë qytet, nga ku njerëzit po largohen gjithnjë e më shumë për shkak të frikës”, tha Ademi.
Por, për ministrin Lleshaj, situata në Shkodër nuk është edhe aq problematike, pavarësisht se ai qytet gjeneron 20 për qind të krimit në shkallë vendi. Ademi kërkoi nga ana e saj shkarkimin e ministrit dhe kryepolicit, Ardi Veliu.
Top Channel