Presidenti venezuelas, Nicolas Maduro njoftoi mbrëmjen e së dielës ato që i quajti 30 ditët e racionalizimit të energjisë elektrike, vetëm pak pasi qeveria e tij njoftoi se do të shkurtonte kohëzgjatjen e ditës së punës dhe do të mbante shkollat mbyllur, për shkak të mungesës së energjisë në mbarë vendin.

Masat duket se janë një pranim i zymtë, më në fund, nga ana e qeverisë, e cila më herët ka tentuar më kot të fajësojë për errësirën që ka kapluar vendin prej muajit mars “sabotazhin” nga të huajt, se kriza energjetike sapo ka nisur dhe do të qëndrojë gjatë mes venezuelasve.

Duke folur në televizionin shtetëror, Maduro tha se kishte miratuar një “plan 30-ditor” për të racionalizuar energjinë, por me theks të veçantë te “garantimi i furnizimit me ujë të pijshëm”.

Infrastruktura e rrënuar, investimet e pakta në rrjetin energjetik dhe mirëmbajtja thuajse inekzistente e rrjetit kanë kontribuar që të gjitha në problemet me elektricitetin në vend.

E duke shtuar këtu edhe krizën e thellë ekonomike të vendit, normat therëse të inflacionit dhe “largimit të trurit”, duke iu referuar këtu personelit të kualifikuar – pasi rreth 25 mijë persona që ishin punësuar në sektorin energjetik të vendit kanë emigruar si pjesë e 2.7 milionë refugjatëve venezuelas që prej vitit 2015, – duket se kriza venezuelase nuk do të shohë së shpejti “dritë në fund të tunelit”.

Më herët gjatë së dielës, autoritetet njoftuan edhe marrjen e masave të tjera si pasojë e mungesës së energjisë. “Qeveria ka vendosur të lërë ende në fuqi pezullimin e aktivitetit shkollor; të shkurtojë ditën e punës deri në orën 14 për sektorin publik dhe institucionet private”, tha po në televizionin shtetëror ministri për Komunikimin, Jorge Rodriguez.

Mirëpo, pa energji vendi po shkon drejt kufizimit të furnizimit me ujë të pijshëm për shkak të mosfunksionimit të stacioneve të pompave; ndriçimi nëpër rrugë dhe semaforët do të ndalen së funksionuari përherë; pikat e karburanteve do të ketë gjithashtu probleme; e po ashtu edhe shërbimi i telefonisë së lëvizshme apo shërbimi i internetit do të bëhen inekzistentë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA