Në Ukrainë po votohet në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, me kreun aktual Petro Poroshenko që po kërkon rizgjedhjen, por surpriza e garës është komediani Volodimir Zelenski, që konsiderohet edhe si pretendenti kryesor.

Të dy kandidatët, bashkë me ish-kryeministren Julia Timoshenko kanë shprehur këndvështrime proeuvropiane gjatë fushatës. Asnjë nga kandidatët prorusë, ndërkohë, nuk konsiderohet si konkurrent serioz.

Nëse asnjë kandidat nuk do të marrë më shumë se 50 për qind të votave këtë të dielë, dy të parët do të përballen në balotazh më 21 prill. Në total, 39 kandidatë janë në fletën e votimit, por vetëm 3 pretendentët kryesore mendohet se kanë mundësi për fitore.

Presidenti ukrainas ka fuqi domethënëse për sa i takon sigurisë, mbrojtjes dhe politikës së jashtme, e sistemi i Republikës ish-sovjetike konsiderohet si gjysmëpresidencial.

Poroshenko është një nga oligarkët më të pasur të Ukrainës dhe u zgjodh president pasi ish-presidenti prorus Viktor Janukoviç u rrëzua në shkurt të vitit 2014, pas “Revolucionit të Maidanit”, që u pasua me aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë dhe një rebelim të mbështetur nga Moska në lindje të Ukrainës.

Presidenti i ri, sidoqoftë do të trashëgojë një konflikt ende të pazgjidhur mes trupave ukrainase dhe separatistëve prorusë në lindje, ndërsa Ukraina përpiqet të plotësojë kërkesat e BE-së për lidhje më të ngushta ekonomike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA