Një video tronditëse ka publikuar në numrin e së dielës gazeta “To Vima”, në të cilën duket qartë vrasja e një të burgosuri shqiptar në burgun famëkeq të Koridhalosë.

Videoja mban datën 14 janar të këtij viti. Kamerat e sigurisë regjistrojnë momentin kur dy të burgosur, të armatosur me thika artizanale, ndjekin në korridoret e burgut viktimën, duke e qëlluar disa herë në mënyrë të pandalshme.

Pamjet përshkruajnë kaosin dhe mungesën e ligjit në këtë burg, i cili është në qendër të vëmendjes së drejtësisë greke për vite me radhë, por deri së fundmi nuk ishin bërë hapa për përballimin e veprimtarisë së grupeve të ndryshme mafioze të të burgosurve, që shpeshherë bashkëpunojnë me gardianët apo avokatët e tyre jashtë këtij institucioni.

Njëri prej dy autorëve të krimit në video është i akuzuar për vrasjen e avokatit Zafiropoulos, disa muaj më parë në Athine, e pa iu dridhur dora qëllojnë disa herë me thikë derisa vrasin në një lumë gjaku Arbër Bakon, personin që urdhëroi vrasjen e avokatit të njohur.

Viktima, fillimisht ndodhej në burgun e Domokosë dhe ishte sjellë atë ditë në Koridhalo, për t’u gjykuar në sallën e gjyqit brenda burgut.

Gazeta ka një artikull të plotë që shpjegon se çfarë ndodh me mafien shqiptare brenda këtij burgu, çfarë po ndodh me dy avokatët që u arrestuan disa ditë më parë dhe që kanë lidhje me ta, kush është Arbër Bako, i cili u vra në janar të këtij viti, dhe çfarë ndodh gjithashtu me kontratat e vdekjes që në shumicën e rasteve nënshkruhen në këtë burg.

Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë akuzon gazetën në fjalë se, me publikimin e videos ndikon në procesin hetimor që është në zhvillim dhe çorienton opinionin publik.

Vlen të përmendet se, në burgun në fjalë, që mediet greke e krahasojnë me burgjet në Kolumbi apo Meksikë, nga viti 2018 e deri në janar të këtij viti janë regjistruar 10 përleshje të përgjakshme mes të burgosurve, ka pasur dhjetëra të lënduar, ndërsa 26 të burgosur kanë humbur jetën për arsye të ndryshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA