Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar nga Policia e Lezhës në orët e natës, ndërsa janë arrestuar edhe dy autorët që kishin planifikuar krimin.
Policia kishte marrë informacion ditën e djeshme se po planifikohej vrasja e një personi dhe më pas grabitja e automjetit të tij, në fshatin Rrilë, ndërsa organizoi dhe vuri në veprim menjëherë operacionin “Porosia”.
Ndërhyrja e guximshme e agjentëve të policisë kriminale bëri që të parandalohej krimi dhe të arrestohej shtetasi S.H., 18 vjeç, lindur në Gramsh dhe banues në Elbasan, si dhe 43-vjeçari M.K., nag fshati Shënkollë i Lezhës.
Sipas policisë, 18-vjeçari ishte porositur që në mesnatë të qëllonte me armë në drejtim të banesës së një shtetasi dhe më pas t’i merrte automjetin e parkuar para banesës.
Megjithatë policia ndërhyri duke arrestuar 18-vjeçarin, të cilit në cilësinë e provës materiale i gjetën edhe sendet e mëposhtme:
-një armë zjarri automatik kallashnikov
-një karikator me fishekë 30 copë
-një çantë me ngjyrë të zezë ku brenda saj kishte 45 fishekë model 56
-një kapuç ngjyrë të zezë
-një palë doreza ngjyrë të zezë
-dy aparate telefoni celular të markës Samsung.
Për arsye hetimore, Policia nuk jep detaje mbi gjeneralitetet e shtetasit që ishte nën shënjestër, ndërsa materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Vrasje me paramendim në bashkëpunim e mbetur në tentaivë”, në ngarkim të shtetasit M.K., ndërsa “Vrasje me paramendim në bashkëpunim e mbetur në tentativë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve”, në ngarkim të shtetasit S. H.
Top Channel