I dogjën mandatet, por ish ligjvënësit opozitarë i janë drejtuar gjykatës për të marrë rrogat e bojkotit të fundit parlamentar. Top Channel ka siguruar paditë që kanë depozituar në gjykatën administrative ish deputeti i LSI, Shezai Rrokaj dhe 4 ish deputetë demokratë, Valentina Duka, Fatbardha Kadiu, Luan Baçi dhe Luçiano Boçi, ky i fundit kërkon kompensimin financiar për 3 bojkote.
Vlera që kërkohen nga Kuvendi kap shifrën e 1 milion e 373 mijë lekëve të reja. Me largimin nga Kuvendi, karriget bosh të opozitarëve po vijojnë të mbushen me deputetë të cilët vijnë nga radhët e opozitës, por PD dhe LSI nuk i njohin kandidatët të cilët vendosën vetë në lista.
Të njëjtin qëndrim mbajti dhe presidenti Ilir Meta, i cili deklaroi se Parlamenti ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë 3 deputetët Hajdari, Koka dhe Murrizi, të cilët nuk pranuan të dorëzojnë mandatin.
Por, kryetari i shtetit edhe pse deklaroi se nuk e njeh atë që po etiketohet si opozitë e re, ka dekretuar ligjet e miratuara në Parlament edhe nga deputetët e rinj.
Kuvendi arriti numrin e 100 deputetëve. Pas disa ditësh pjesë e tij bëhet edhe Korab Lita, ish-zv/kryetari i Bashkisë së Kamzës, dikur njeriu më i afërt i kryebashkiakut Xhelal Mziu.
Në Kuvend Korab Lita do të zëvendësojë Dashamir Shehin, kryetarin e LZHK-së. Me betimin e Korab Litës dhe Amra Borovës, e cila mungoi në seancën e shkuar pasi u bë nënë, Parlamenti numëron 21 deputetë që vijnë nga radhët e opozitës.
Deputetët e rinj të Kuvendit do të formojnë dy grupe parlamentare. I pari është ai që do të drejtohet nga demokratja Rudina Hajdari dhe do grupojë deputetët që vijnë nga lista e Partisë Demokratike. Një tjetër grup është ai nga radhët e LSI-së, për të cilin ende nuk është rënë dakord se kush do ta drejtojë, megjithëse po mendohet për një deputete zonjë.
Top Channel