Gjykata Administrative la në fuqi gjobën prej 410 mijë euro që Autoriteti i Konkurrencës i vendosi kompanisë SGS Albania, e cila ka me koncesionin kontrollin teknik të automjeteve. Vitin e kaluar autoriteti hapi një hetim të thelluar për koncesionin e kontrollit teknik të automjeteve.
Hetimi gjeti se kompania SGS kishte abuzuar me pozitën monopol duke u vendosur qytetarëve kushte të padrejta si dhe duke mos plotësuar kushtet e kontratës koncesionare për të rritur numrin e sporteleve të lëvizshme, të cilat do të shmangin radhët dhe pritjet e gjatë të qytetarëve.
Për këto shkelje komisioni i konkurrencës vendosi ta gjobisë kompaninë me 5.7 për qind të xhiros për vitin paraardhës që në vlerë korrespondonte me 51 milionë lekë ose 410 mijë euro.
SGS e paditi gjobën në Gjykatën Administrative të Tiranës. Por pas procesit gjyqësor, gjykata e e rrëzoi kërkesën e kompanisë koncesionare duke e konsideruar si të drejtë gjobën.
Autoriteti i konkurrencës njoftoi se detyrimi prej 51 milionë lekësh tashmë është ekzekutuar dhe ka kaluar në buxhetin e shtetit. Kontratat koncesionare kanë qenë temë e nxehtë debati gjatë viteve të fundit, për abuzime dhe përfitime të padrejta në kurriz të qytetarëve.
Ky është rasti i parë kur Autoriteti i Konkurrencës ndëshkon me gjobë një kompani koncesionare, dhe përveç kësaj i ka kërkuar ministrisë së infrastrukturës të detyrojë kompaninë që të përmirësojë cilësinë e shërbimit.
Top Channel