Marrëveshja për Brexit dështoi për herë të tretë në Londër. BE-ja tani pret propozime të reja nga Kryeministrja May. Disa skenarë janë të mundshëm para takimit të posaçëm të BE-së më 10 prill.
Po tani? Parlamenti londinez zgjodhi opsionin më të padëshiruar si për institucionet e BE-së ashtu edhe për shumicën dërrmuese të 27 shteteve anëtare. Me këtë “Jo” të tretë (344 pro, 286 kundër), po shtohen gjasat e Brexit-it të ashpër. Si datë e daljes është paraparë 12 prilli, siç e caktuan një javë më parë, krerët e BE-së, së bashku me kryeministren britanike Theresa May, vendosën të zhvillonin një takim të nivelit të lartë në Bruksel.
Sipas negociatorit të BREXIT-it, Michel Barnier, kryeministrja britanike ka tani vetëm dy opsione: Ose të kërkojë sërish zgjatjen e negociatave, sipas nenit 50 të Traktateve të BE-së ose ta nxjerrë Britaninë e Madhe nga BE-ja, pa marrëveshje dhe pa një fazë kalimtare.
Zgjatje apo dalje e menjëhershme?
“Nëse britanikët kërkojnë një zgjatje, ajo duhet të jetë mjaft e gjatë,” tha sërish Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, në Bruksel. Menjëherë pas votimit në parlamentin britanik, Tusk shpalli se më 10 prill do të mbahet një samit i posaçëm i BE-së, dy ditë para datës së caktuar për Brexit.
Deri më tani, kryeministrja britanike nuk donte kurrsesi që negociatat të zgjateshin për vite të tjera, sepse kjo nënkupton, që Britania e Madhe të marrë pjesë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian nga 23 deri më 26 maj.
Por Parlamenti Britanik e ka hedhur poshtë edhe Brexitin e ashpër e pa marrëveshje. May, e cila si “shpërblim” për miratimin e marrëveshjes së saj kishte ofruar dorëheqjen, tani, që marrëveshja nuk u pranua sërish, do të qëndrojë në post në kërkim të alternativave. Këto ajo do të duhet t’ia prezantojë BE-së në samitin e posaçëm më 10 prill. Michel Barnier, kryenegociatori i BE-së, njoftoi në Varshavë, se BE-ja tani do të përgatitet edhe më intensivisht për një Brexit pa marrëveshje.
Po faturën?
Ambasadorët e BE-së diskutuan të mërkurën skenarë të ndryshëm dhe thanë se bisedime me Britaninë pas Brexit-it pa marrëveshje, mund të ketë vetëm nëse britanikët paguajnë llogarinë e divorcit.
BE-ja pret nga Londra që kjo t’i premtojë dëmshpërblimin prej 39 miliardë euro, sikurse e parashikon marrëveshja e refuzuar. Ky premtim duhet të vijë një javë pas Brexit-it, përndryshe bisedimet për marrëdhëniet e ardhshme tregtare do të vihen në akull. Shumë deputetë britanikë e kishin hedhur poshtë këtë, duke pohuar se një Brexit pa marrëveshje nuk e obligon Britaninë e Madhe t’i paguajë ndonjë kosto BE-së.// Marrë nga DW.
Top Channel