Në të gjitha Qendrat Shëndetësore është bllokuar puna për gati 5 orë gjatë kësaj të premteje. Pacientë që shkonin për të marrë receta të barnave mujore, apo edhe të tjerë që kishin nevojë për rekomandim për te mjeku specialist, nuk kanë marrë shërbim.
“Sot erdha, por më thanë që nuk punonte sistemi. Kështu që nuk mbarova punë”, tha një paciente.
Mjekët e familjeve nuk arrinin, që nëpërmjet të dhënave të pacientëve të hynin në sistemin shëndetësor, pasi sistemi i ngritur për këtë qëllim nuk i lejonte të bënin asnjë veprim.
“Nuk e di çfarë ka ndodhur. Kam pasur pacientë, një pjesë mbaroi punë, një pjesë mbeti pa marrë shërbim. Ja po e provojmë edhe tani që po flasim…aktualisht nuk punon”, tha një mjek.
“Jo, është i bllokuar për momentin”, tha një tjetër mjek. “Nuk e di sesi funksionon sistemi, por ndoshta është vet sistemi”, shtoi më tej ai.
Burime të Top Channel thonë se ka pasur problem sistemi i Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme, nëpërmjet të cilit janë të lidhur edhe sistemet shëndetësore.
Rreth orës 13:30 ky problem u zjgjidh, ndërkohë që pacientëve u duhet të kthehen sërish te mjeku i tyre, edhe pse ata ankohen se problemi me sistemin është i përsëritur, pasi nuk funksionon siç duhet interneti nëpër Qendrat Shëndetësore.
Top Channel