Ceremonitë për 10-vjetorin e Shqipërisë në NATO ka nisur me një konferencë, nga ku Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku ka kërkuar një bashkëpunim Ballkanik, brenda aleancës më të fuqishme ushtarake në botë.
“Unë besoj fort, se do të ishim të suksesshëm me kapacitete të përbashkëta ballkanike në fusha të tilla si menaxhimi dhe kontrolli i hapësirës ajrore”, tha ai.
Për ministren Olta Xhaçka, 10 vitet e Shqipërisë në NATO kanë shërbyer si pikë referimi për sigurinë në rajon.
”Sot Shqipëria është prova e gjallë që edhe një vend i vogël, me mundësi të kufizuara, mund të kthehet në një aset për një aleancë si NATO. Vështirë ta besonte kush 10 vjet më parë, por sot Shqipëria është një eksportues sigurie, pjesëmarrëse në iniciativat dhe misionet e drejtuara nga NATO në Afganistan, Kosovë dhe detin Egje, në prezencën e përparuar të NATO-s në Letoni”, – tha Xhaçka.
10 vjetori i Shqipërisë në NATO solli një shtrëngim duarsh me kryeministrit Rama dhe presidentit Meta, i cili dy javë më parë tha se nuk do të lejonte instalimin e një junte.
Vendimin e NATO-s për të ndërtuar një bazë ushtarake ajrore në Kuçovë, kryeministri Rama e quajti si lajmin më të mirë të këtij jubileu.
“Baza e konceptuar si një nga pikat e referimit të aleancave tona strategjike, do të shndërrohet nga një bazë e lindur për t’u mbrojtur nga NATO. Në një bazë të rilindur të NATO-s. Nëse NATO duhet të përballet edhe me doktrina agresive,faktorësh të tretë; me ushtri në rritje dhe shpërfillje të hapur të ligjeve ndërkombëtare. Aneksimi i Krimesë, është vetëm një nga dëshmitë aktuale të kësaj dukurie”, tha Rama.
Gjeneral Major Gary Deaking zëvendës komandant i komandës së NATO-s në Napoli në një intervistë për Top Channel flet për rolin e Shqipërisë në këtë aleancë.
“10 vjet në NATO për Shqipërinë kjo është një arritje dhe kjo në ditëlindjen e 70 të NATO-s. Dy celebrime në harkun kohor të dy javëve. Kontributi Shqipërisë është tejet sinjifikativ pasi siguria në rajon ka shumë sfida e kështu siguria në Shqipëri merr një rëndësi te veçantë. Do të vlerësoja shumë pjesëmarrjen e një anije shqiptare në Egje apo edhe misionet në Afganistan. Siç edhe e tha ministria, Rusia është një prej shumë kërcënimeve. Unë vij nga Napoli ku vale e emigracionit është një problem i dukshëm. Çelësi suksesit tonë është ndarja e përgjegjësive mbrojtëse per të arritur një mbrojtje te mirë.”, tha Deaking.
6 avionë të NATO-s nga Greqia, Italia dhe Gjermani fluturuan mbi qiellin e Tiranës duke përmbyllur ceremonitë festive për Shqipërinë 10 vjet në NATO.
Top Channel