Në shkollat e Francës është mbajtur një minute heshtje, në nder të një mësuesi që nuk kërkoi gjë tjetër veçse respekt.
Jean Willot, 57 vjeç, jepte mësim në një shkollë fillore të Flammarion në Eaubonne, një komunë në veriperëndim të Parisit.
Kolegët thonë se ishte tejet i përgatitur, një njeri i qetë dhe një mësues aspak i ashpër. Më 12 mars, në fund të pushimit, mësuesi i kërkoi një nxënësi 6 vjeç të lëvizte nga shkallët, sepse po pengonte të tjerët të hynin.
Nxënësi nuk lëvizi nga vendi, iu përgjigj keq dhe bezdisi fëmijët e tjerë. Pas shumë përpjekjesh, Willot e kapi nga krahu dhe e spostoi. Fëmija rrëshqiti dhe mori një gërvishtje të vogël.
Ditën tjetër, e ëma shkoi në komisariat dhe paraqiti një denomcim për “dhunë të rëndë fizike” mbi një minoren. Drejtoria njoftohet për rastin dhe atë mbrëmje, mësuesin e marrin disa prindër në telefon dhe e ofendojnë.
Një ditë më vonë, ai i thotë së shoqes se do të dalë në pyll për një shëtitje, e për t’u qetësuar. Pas disa orësh u gjet i vetëvarur, por kishte lënë pas një letër, ku shpjegonte se nuk kishte bërë asgjë të keqe dhe s’e duronte dot faktin që i duhet të mbrohej nga akuza absurde.
Kolegët e tij tani po ngrenë zërin kundër asaj që e quajnë logjika e “PasDeVague”. Mësuesit francezë po ankohen prej muajsh ndaj faktit që nuk ndihen të mbrojtur nga intitucionet, të cilat i rekomandojnë të mos ngrenë shumë “dallgë”, pra të mos i ushqejnë problemet.
Lëvizja “PasDeVague” nisi tetorin e vitit të kaluar, pasi një 16-vjeçar i një gjimnazi në Créteil, në periferi të Parisit, u filmua ndërsa kërcënonte mësuesen me një pistoletë të vendosur në tëmth, e cila më vonë u mësua se ishte e rreme, dhe përpara se të dilte nga klasa e urdhëronte që të mos i shënonte mungesën në regjistër.
Top Channel