“Top Story” ka zbërthyer sesi një kompani misterioze e quajtur “Biniatta Trade” ka paguar një lobist amerikan për për të lobuar për Partinë Demokratike në Uashington. Lind pyetja, kush janë fijet që e lidhin këtë kompani me rusët?
Kur gazetarët e “Mother Jones”, Hannah Levintova dhe Daniel Friedman kërkuan për “Biniatta Trade”, në faqen e saj të internetit thuhej se ishte “një furnizues në industrinë e bujqësisë dhe prodhimeve të tekstilit”, por një kërkim në Google nuk jep asnjë të dhënë për ndonjë aktiviteti tregtar të këtij lloji.
Faqja e internetit të kësaj kompanie përmbante një listë të klientëve, duke përfshirë edhe “Nightwood”, një biznes i vogël në Brooklyn që shet orendi shtëpiake dhe tekstile të përgatitura me dorë.
Sipas të dhënave të korporatave britanike, “Biniatta Trade” ndodhet në një adresë në Edinburg që përdoret nga 727 kompani të tjera. Numri britanik i telefonit i listuar në faqen e tij të internetit nuk funksionon.
“Ne e dimë që Binniata i pagoi para Muzinit për të lobuar në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, po përse e bëri, këtë nuk e dimë. Pra nuk e kemi një përgjigje përfundimtare për këtë. Por, ajo që dimë është se kjo kompani misterioze nuk ka asnjë gjurmë publike të veprimtarisë së saj. Ne telefonuam disa prej kompanive që Binniata ka listuar si klientë të saj, një prej të cilëve është një biznes i punimeve me dorë në Brooklyn, New York, që nuk kishte dëgjuar kurrë për Binniatan, edhe pse rezultonte si klient në faqen e internetit të kësaj kompanie misterioze”, tha Hannah Levintova, gazetare e revistës “Mother Jones”.
Aktualisht “Binniata Trade” deklaron në faqen e saj në internet se ka pezulluar përkohësisht aktivitetin, pas shpifjeve se është përfshirë në financimin e fushatave elektorale dhe me Federatën Ruse.
“Ne mohomojmë të kemi lidhje politike në Federatën Ruse, marrëveshje lobimi për Shqipërinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në ndonjë vend tjetër”, thuhet në faqen në internet të “Binniata Trade”, ku shfaqet vetëm një adresë emaili.
Gjatë qëndrimit në Uashington, “Top Story” dërgoi një kërkesë për koment në këtë adresë, por nuk mori asnjë përgjigje.
Top Channel