Një pallat në Durrës është ndërtuar nga firma e ndërtimit “G.XH. shpk”, me administrator Kujtim Kllogjerin. Në vitin 2012, Hyjrie Zhusti bleu një apartament në qytetin e Durrësit.
“Unë kam blerë një apartament, në të cilin jetoj edhe sot. Por, në vitin 2013 na del një blerës tjetër, më të cilin unë vazhdova karvanin e gjyqeve. Në një moment, kur unë mendova se gjyqet përfunduan, e gjej veten përsëri në gjykatë. Na del një tjetër pretendent nga Shkodra. Ismet Bala thotë që e ka blerë në vitin 2010 këtë apartament. Pra hyrja ime qenka shitur 3 herë, Hyjries, Gentianit dhe Ismetit. Po t’iu biesh dyerve, do të të thonë jemi në gjykatë të gjithë, asnjëri nuk e ka hyrjen të vetën. Të 40 banorët janë në gjyq këtu. Unë nuk i përballoj më gjykatat, nuk mundem. Aq shumë stres kam, saqë dua të më lenë të rri e qetë të rris djalin tim. Nuk di ku të shkoj. Jam përballur aq shumë me këto gjykata sa në 23 nëntor jam gjendur përballë një sëmundjeje mjaft të vështirë, me pasoja mjaft të rënda sot. Të bësh kimioterapi sot nuk është aq e thjeshtë”, tha Hyjrie Zhusti.
Ajo që duhet të theksojmë është se Kujtim Kllogjeri është dënuar nga drejtësia shqiptare me 12 vite heqje lirie, por ai është ende në arrati. Ndërkohë, të gjithë banorët e këtij pallati përplasen në dyert e gjykatave.
Top Channel