Princi Charles i Britanisë së Madhe duket se po e shijon jo pak vizitën e tij në Kubë, me shëtitje në Havana, mbrëmje gala dhe argëtim. Ai zbuloi një statujë të William Shakespeare në kryeqytetin e Kubës, kur doli nëpër rrugët e qytetit të vjetër, i rrethuar nga kubanë kuriozë dhe turistë të huaj.

Me syze dielli nën diellin e Karaibeve, trashëgimtari i fronit britanik u prit me duartrokitje kur zbuloi statujën e shkrimtarit të shekullit të XVI. Më pas, çifti mbretëror vizitoi një palestër boksi, si dhe një qendër kërcimi.

Princi 70-vjeçar dhe bashkëshortja e tij Kamila e shtuan Kubën në agjendën e turit të tyre në Karaibe, me kërkesë të qeverisë britanike, e nuk janë penduar për këtë. Ata ishin edhe të ftuar nderi në një darkë të shtruar nga presidenti Migel Diaz Canel.

Qeveritë britanike i kanë shfrytëzuar gjithnjë vizitat mbretërore si një mjet diplomatik, e vizita e Charles në Kubë vjen ndërsa kryeministrja Theresa May po kërkon tregje të reja në kuadër të “Brexit”-it.

Tregtia mes Britanisë dhe Kubës ka rënë ndjeshëm vitet e fundit, pavarësisht rritjes së Kubës si një destinacion për turistët britanikë. Londra shikon mundësi në sektorin në “shpërthim” të turizmit në Kubë, si edhe në atë të energjisë. Rreth 200 mijë pushues britanikë vizitojnë Kubën çdo vit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA