Në Shqipëri ka nisur si trend tanimë që depot farmaceutike të hapin farmacitë e tyre ose të krijojnë rrjet farmacish.

Ligji shqiptar për farmaceutikën lejon këdo që të hapë farmaci, mjafton që ai të punësojë një drejtues teknik. Por, krijimi i rrjetit të farmacive nga depot farmaceutike shihet me shqetësim nga Urdhri i Farmacistëve, pasi kjo rrezikon monopolizimin e tregut farmaceutik dhe prish rregullat në treg.

Sipas tyre, depot farmaceutike me farmacitë e tyre do të nxjerrin jashtë loje farmacitë e vogla, pasi ato do të furnizojnë tanimë vetëm farmacitë e tyre, si dhe do t’i favorizojnë ato duke i furnizuar me barna me çmim më të lirë, çka çon në falimentimin e farmacive të tjera që nuk janë në rrjetin e tyre.

Për këtë qëllim, në llogarinë e tij në Facebook, Urdhri i Farmacistit ka hapur një sondazh ku kërkon mendimin e farmacistëve nëse duhet lejuar apo penguar kjo gjë. Sikurse shikohet nga komentet, shumica e farmacistëve janë kundër dhe shprehet se duhet penguar.

Duke hapur disa farmaci, një pronar apo biznesmen pritet të përfitojë më shumë nga fondi i rimbursimit të barnave. Kujtojmë se nuk ka kaluar shumë kohë kur depo farmaceutike, në bashkëpunim me disa farmaci u përfshinë në një skemë mashtrimi me listat e barnave me rimbursim. E tanimë që depot farmaceutike po hapin farmacitë e tyre, përfshirja në këtë skemë bëhet edhe më e thjeshtë, thonë përfaqësues të Urdhrit.

Por, nga ana tjetër, drejtues të depove farmaceutike thonë se përsa kohë e lejon ligji, kjo nuk mund të pengohet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA