BE ofron shtyrjen e “Brexit”-it. Tusk: Nëse Britania e rishqyrton strategjinë

27/03/2019 17:26

Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk i ka ofruar Britanisë së Madhe një shtyrje më të gjatë të “Brexit”-it.

“Duhet të jemi të hapur për një shtyrje të tille, nëse vendi e rishqyrton strategjinë e ‘Brexit’-it”, deklaroi ai përpara europarlamentarëve në Strasburg, ndërsa iu bëri thirrje deputetëve që në rast nevoje ta mbështesin një pjesëmarrje të britanikëve në zgjedhjet europiane në maj.

Propozimin e tij, Tusk e argumentoi me faktin që në Mbretërinë e Bashkuar ka një numër të madh njerëzish, të cilët e kërkojnë qëndrimin në Bashkimin Europian.

“Ju nuk mund t’i tradhtoni 6 milionë njerëzit që firmosën peticionin pro qëndrimit, një milion vetët që marshuan në fundjavë për fjalën e popullit, apo shumicën në rritje të atyre që kërkojnë të mbeten në BE. Ata mund të ndiejnë se nuk janë të përfaqësuar sa duhet në Parlamentin britanik, por duhet ta dinë se janë të përfaqësuar nga ju, në këtë dhomë, sepse janë europianë”, tha Tusk.

Me fjalën e tij, Tusk iu drejtua asaj pjese të parlamentarëve, që druhen se me një pjesëmarrje të Britanisë së Madhe në zgjedhjet për Parlamentin Europian, aty do të hyjnë sërish shumë kundërshtarë të bllokut.

Kjo mënyrë e të menduarit, për Tuskun është e papranueshme. Brukseli i ofroi Britanisë së Madhe një shtyrje të daljes nga BE-ja deri më 22 maj, nëse Dhoma e ulët e saj voton këtë javë pro mbështetjes së marrëveshjes së negociuar mes kryeministres Theresa May dhe BE-së.

  “Brexit”-in e vendos Parlamenti, deputetët do të votojnë sesi e duan ndarjen nga BE

Përndryshe, më 12 prill, qeveria britanike duhet të paraqesë lutje për një shtyrje më të gjatë, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen në zgjedhjet europiane, ose edhe të tërheqë kërkesën për të dalë nga BE-ja.

Po të mos ndodhë kjo, Britania e Madhe do të dalë me pasoja të rënda ekonomike, për të dyja palët, në mënyrë të parregullt nga BE-ja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA