Ligjbërësit e Bashkimit Europian kanë miratuar një rishikim të rregullave dy dekada të vjetra, të të drejtave të autorit, të cilat tani do të detyrojnë Google dhe Facebook Inc, të paguajnë botuesit për përdorimin e copëzave të lajmeve dhe t’i mbrojnë ato nga shkarkimet dhe përdorimet e paautorizuara.
Parlamenti Europian mbështeti reformat me 348 vota në favor, ndaj 274 kundër, të martën pas një debati që ka vբnë përballë industrinë krijuese të Evropës, ndaj kompanive të teknologjisë, aktivistëve të internetit dhe grupeve të konsumatorëve, të shqetësuar se rregullat e reja mund të jenë shumë të kushtueshme dhe të bllokojnë shumë përmbajtje.
Komisioni Evropian filloi shqyrtimin e rregullave dy vjet më parë në një përpjekje për të mbrojtur një industri që vlen 915 miliardë euro në vit, dhe përbën 11.65 milionë vende pune dhe 6.8 për qind të ekonomisë së BE.
Rregullat e reja nënkuptojnë se Google dhe platformat e tjera në internet do të duhet të nënshkruajnë marrëveshje të licencimit me muzikantët, artistët, autorët, botuesit e lajmeve dhe gazetarët, për të përdorur punën e tyre në internet.
Google e YouTube, Instagram e Facebook dhe platforma të tjera të shpërndarjes gjithashtu do të duhet të instalojnë filtra për të parandaluar përdoruesit nga ngarkimi i materialeve me të drejtë autori.Të dyja këto dispozita shkaktuan lobim të ashpër nga të dyja palët.
Shefi dixhital i Komisionit Europian, Andrus Ansip përshëndeti rezultatin duke thënë se reformat do të përmirësonin pozitën e shkrimtarëve, gazetarëve, këngëtarëve, muzikantëve dhe aktorëve, përballë platformave të mëdha, duke përdorur përmbajtjen e tyre.
“Votimi i sotëm siguron balancën e duhur midis interesave të të gjithë lojtarëve, përdoruesve, krijuesve, autorëve, shtypit, duke vendosur detyrime proporcionale në platformat online”, tha ai në një deklaratë.
Top Channel