Pas një procesi maratonë që zgjati 8 orë, Gjykata e Krimeve të Rënda mbylli seancën paraprake dhe dërgoi në gjykim themeli ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, nën akuzë për trafik narkotikësh, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai është i akuzuar së bashku me 3 ish-zyrtarë policie, të cilët janë në kërkim.
Gjatë ditës, Saimir Tahiri dhe avokati i tij kërkuan gjykim të shkurtuar, si dhe pushim të çështjes. Kërkesa e fundit nuk u pranua nga gjykata.
Ndërkohë, gjykim të shkurtuar kërkoi përmes avokatit të tij edhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ndërsa dy ish-zyrtarët e tjerë të policisë, që janë në kërkim, nuk e depozituan një kërkesë të tillë përmes avokatëve që i përfaqësonin.
Dosja “Tahiri” shkon për gjykim, ish-ministri kërkon gjykim të shkurtuar
Gjatë seancës, ish-ministri i Brendshëm ka këmbëngulur t’i tregohen provat për të cilat ai akuzohet, në një proces hetimor i cili ka zgjatur të paktën dy vite.
TCH: Përse kërkuat gjykim të shkurtuar?
Saimir Tahiri: Unë kërkova që gjykimi të mos jetë një histori zvarritjeje e pafund. Prokuroria pretendon atë që pretendon, ndërsa unë kam shumë më shumë për të pretenduar sesa Prokuroria, kështu që nuk ka nevojë për zgjatje pafundësisht. Në këtë rast do t’iu lutesha juve të bëni kujdes kur ta citoni dhe të saktësoni që unë vazhdoj dhe do të vazhdoj deri në fund të argumentoj atë që kam pretenduar që nga fillimi, që nuk kam pikën e lidhjes me këtë çështje.
Por gjithashtu, Saimir Tahiri premtoi se së shpejti do të flasë.
Saimir Tahiri: Sot e tutje do të flas edhe unë sigurisht.
TCH: Do të flasësh në gjykatë, apo…?
Saimir Tahiri: Në gjykatë dhe për publikun. Ky nuk mund të jetë më një proces i mbyllur, ku provat – të ashtuquajtura, – trafikohen. Unë jam prap ministri kampion, të jeni të bindur për këtë. Atë që kam bërë për Policinë e Shtetit nuk do ta zhbëja kurrë.
Në përfundim të kësaj procedure, Gjykata e Krimeve të Rënda do të hedhë shortin, përmes të cilit do të caktohet trupa gjyqësore që do të gjykojë ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe 3 ish-zyrtarët e Policisë së Shtetit.
Top Channel