Një mësues matematike dhe fizike në një shkollë të mesme në një fshat të thellë të Kenias, është shpallur mësuesi më i mirë në botë për 2019-ën dhe ylli i Hollivudit, Hjug Xhekman i ka dorëzuar atij në një ceremoni në Dubai, cekun prej 1 milionë dollarësh që shoqëronte vlerësimin.
Peter Tabichi ka dhënë shumicën e të ardhurave të tij për nxënësit e varfër, por tani duket se është shpërblyer. Ai jep mësim në një fshat gjysmë të braktisur në Pvani, ku thuajse një e treta e fëmijëve janë jetimë ose kanë vetëm një prind dhe ku etja dhe uria janë të kudondodhura.
Tabichi u zgjodh si mësuesi më i mirë mes 10 mijë aplikantëve për çmimin global të mësimdhënësve, pasi pavarësisht pengesave, ai i ka inkurajuar nxënësit e tij të vazhdojnë shkollimin dhe të kualifikohen për gara ndërkombëtare në shkencë e inxhinieri, si edhe të shkojnë në kolegj.
Çmimi jepet nga fondacioni Varkey çdo vit. Fituesi zgjidhet nga komisione të përbëra nga mësues, ekspertë të arsimit, gazetarë, sipërmarrës, biznesmenë dhe shkencëtarë nga e gjithë bota. Vitin e shkuar, ishte një mësuese britanike e artit, ajo që u vlerësua për punën e saj.
Top Channel