Një komitet i udhëhequr nga demokratët sfidoi këtë të martë në Kongres, planin e Pentagonit për të devijuar një miliard dollarë në mbështetje të planit të presidentit Trump për të ndërtuar murin në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, por pa sukses.
Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve ishte 248 me 181, duke dështuar kështu përpjekjen e komitetit për të përmbysur veton e presidentit Trump, ndaj një mase të Kongresit që zhbënte deklaratën e tij të emergjencës në kufi.
Më pak se një ditë pasi shefi në detyrë i Pentagonit, Patrick Shanahan autorizoi transferimin e shumës prej një miliard dollarësh nga projektet ekzistuese të Departamentit të Mbrojtjes në projektin për strukturën e re kufitare, Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve për Shërbimin e Armatosur tha se kjo lëvizje nuk ishte e lejueshme.
Kjo ishte sfida më e re ndaj deklaratës së “emergjencës kombëtare” në kufirin jugor të 15 shkurtit nga ana e Trumpit, për të siguruar më shumë se 5 miliardë dollarë për ndërtimin e atij që shefi i Shtëpisë së Bardhë pretendon se do të mbajë larg emigrantët e paligjshëm dhe trafikantët e drogave, pas mohimit të fondeve nga ana e Kongresit.
Departamenti i Mbrojtjes “po përpiqet të shmangë Kongresin dhe opozitën e popullit amerikan për të përdorur paratë e taksapaguesve për ndërtimin e një muri të panevojshëm, ndërsa ushtria po paguan koston”, tha kreu i këtij komiteti, Adam Smith. Sipas tij, kjo gjë duhet të marrë fund menjëherë. “Administrata duhet të ndalet së përdoruri të ushtarakëve si një mjet politik, e të fokusohet ndërkohë te ndërtimi i kapaciteteve dhe gatishmërisë ushtarake, apo fusha të tjera ku ne të mund të drejtojmë burimet tona të mbrojtjes”.
Prej dy vitesh, Trump ka sfiduar Kongresin për fondet prej as më pak e as më shumë, por 25 miliardë dollarë, për të fortifikuar kufirim me një mur gjigant. Pasi Kongresi votoi në fillim të muajit për të zhbërë deklaratën e emergjencës, Trump vendosi veton, duke i lejuar kështu Pentagonit të rialokonte miliarda dollarët e nevojshëm tek “emergjenca” kufitare.
Deklarata e emergjencës është sfiduar gjithashtu në rrugë ligjore nga 16 shtete, me pretendimin se urdhri ishte kundër fuqive të Kongresit për buxhetin.
Top Channel