Pas vendimit të të birit për të lënë nënshtetësinë shqiptare ka reaguar ish-presidenti Bujar Nishani.
Sipas ish-kreut të shtetit, duke qenë se djali i tij jeton prej rreth 10 vitesh në Austri dhe si student i Mjekësisë, i është ofruar statusi i asistent/pedagogut.
Prej kësaj shteti i Austrisë i ka ofruar nënshtetësinë, por sipas tij ekziston detyrimi ligjor që nuk mund të mbahen dy shtetësi, prandaj dhe i biri ka marrë vendimin për të lënë nënshtetësinë shqiptare.
Më tej në reagimin e tij, ai sqaron se nuk i ka ushqyer fëmijët me para të vjedhura dhe paratë e drogës dhe se është krenar për fëmijët e tij.
Reagimi i plotë
“Të nderuar miq, sot media e propagandës së narkoqeverisë u përpoq të injektojë si lajm negativ, procedurën e lënies së nënshtetësisë nga djali im.
Im bir jeton prej afro 10-të vitesh në Austri dhe është aktualisht një prej studentëve të shkëlqyer në Universitetin e Mjekësisë së Vienës, ku prej disa vitesh ka fituar edhe statusin e asistent/pedagogut.
Shteti Austriak i ka dhënë nënshtetësinë austriake por kanë rregullin që nuk lejohet dy shtetësia.
Unë jam shumë krenar për fëmijët e mi pasi vetëm më kanë nderuar dhe kurrë përfituar.
Turp dhe e papranueshme është ti ushqesh fëmijët me para të vjedhura apo paratë e krimit të organizuar dhe jo kur nderojnë prindërit dhe këdo tjetër që është në nevojë për ndihmë.
Kuptohet se qëllimi i kësaj fushate propagande jam unë.
Regjimi i narkotrafikut dhe avoketërit e tij duket se paskan frikë prej aktivitetit tim qytetar. Kjo më kënaq në fakt”- sqaron Nishani.
Top Channel