Licencimi prej Ministrisë së Transportit i 90 linjave të tjera interurbane në të gjithë Shqipërinë po sjell konflikte të përditshme mes agjensive.
Përfaqësuesit e agjensisë së udhëtarëve që realizon transportin në itinerarin Gjirokastër-Tiranë-Gjirokastër ndërprenë punën këtë mëngjes, duke lënë në stacion më shumë se 50 pasagjerë.
Protesta do të përshkallëzohet nëse nuk pezullohen licencat e reja, kanë deklaruar 21 aksionerë të dy shoqërive të transportit, duke kërcënuar se puna do të rinisë vetëm kur t’u plotësohet kërkesa.
Konflikti që ka përfunduar disa herë në dhunë fizike dhe plagosje nisi 7 muaj më parë, kur shoqëria “Dropulli” mori licencën për transportin e pasagjerëve në linjën Dropull-Tiranë-Dropull. Disa prej aksionerëve të prekur thonë se kjo po çon drejt falimentit agjensitë ekzistuese në të gjithë vendin.
Mbivendosja e linjave dhe dublimi i orareve po sjell probleme edhe për trasportin e udhëtarëve në linjat brenda qarqeve, ku licencat e dhëna prej bashkive janë zhvlerësuar pas licencimit prej Ministrisë së Transportit të 90 operatorëve të rinj.
Top Channel