Gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka vendosur ta dërgojë për gjykim dosjen “Tahiri”, pas një seance paraprake që zgjati plot shtatë orë e gjysmë për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, si dhe 3 ish-zyrtarë të policisë.
Ish-ministri Tahiri dhe shefi i komisariatit të policisë në Vlorë, Jaeld Çela, kanë kërkuar gjykim të shkurtuar. Ky i dyti në mungesë, pasi është në kërkim nga autoritetet e drejtësisë, ndërkohë që është përfaqësuar nga avokati i tij Petrit Ismaili.
Ndonëse Tahiri e Çela kanë kërkuar pushimin e çështjes, dosja kalon tashmë për gjykim. Ata kërkojnë që procesi të bëhet me kohë të shkurtuar, gjë që nuk do të thotë pranim fajësie, por që gjykimi të zhvillohet pa iu nënshtruar shqyrtimit të fashikujve gjatë procesit në themel.
Kjo sjell për pasojë që, nëse pranohet, procesi mbyllet me 3 seanca: një për Prokurorinë që shpall pretencën; një për avokatët që bëjnë mbrojtjen; dhe e fundit për gjykatën që shpall vendimin; duke eliminuar kështu debatin gjyqësor.
Dy personat e tjerë në këtë çështje, Sokol Bode dhe Gjergj Kohila, që përfaqësohen nga Liljana Gjomema dhe Ardian Leka, nuk kërkuan gjykim të shkurtuar.
Top Channel