Equitana, ngjarja më e madhe në industrinë e kuajve, priti këtë vit në Essen, në Gjermani mbi 850 biznese nga e gjithë bota.
Shqipëria iu bashkua për herë të parë këtij eventi me tri produkte të disiplinës “trail”, duke ofruar për tregun e kalorësve ndërkombëtarë udhëtime kalërimi që ndërthurin malet me bregdetin, lumenjtë me luginat, kalin autentik shqiptar me trashëgiminë kulturore, mikpritjen dhe jetën e njerëzve.
Këtë vit Shqipëria prezantoi kalin në raport me natyrën dhe pasurinë e florës, qindra lloje bimësh që njerëzit ndajnë me kuajt në natyrë, dijet lokale dhe përvojën e kalërimit jashtë piste.
” Unë kam qenë në Shqipëri 7 vjet më parë për të zbuluar kuajt që ofrojnë atje partnerët tanë, natyrën, njerëzit dhe cilësinë e ofertës. Që atëherë interesi për të kalëruar në Shqipëri ka qenë vetëm në rritje. Shumë kalorës profesionistë ende nuk e njohin Shqipërinë, por përshtypjet e vizitorëve ndër vite po e bëjnë vendin një prej destinacioneve tona më interesante. Ajo që pëlqejnë kalorësit gjermanë në Shqipëri janë sigurisht kuajt dhe kalërimi teknik, por ata flasin edhe për guidim shumë të mirë, ushqim të shkëlqyer, kontakte të shumta me kulturën dhe jetën e njerëzve. Është sigurisht një ofertë që po ngjall kuriozitet edhe këtu në Equitana”, tha Svenja Niederhofer eksperte kalërimi Pferd & Reiter.
Për 9 ditë Equitana u ndoq nga rreth 220 mijë vizitorë nga e gjithë bota. Ngjarja konsiderohet prej kalorësve të çdo disipline si një prej shanseve më të mira për shkëmbime, për produkte inovative në industrinë e kuajve por edhe mundësi një për të zbuluar destinacione të reja kalërimi.
Top Channel