Ashtu siç edhe Top Channel ka treguar situatën në universitete që pas protestës, edhe monitorimi 3-mujor i Qëndresës Qytetare nxjerr në pah shtyrjen e realizimit të kërkesave të studentëve.
Nga 22 pikat që rrjedhin prej Paktit për Universitetin, vetëm 4 janë realizuar në kohë.
“Reduktimi i tarifave të studentëve, investimi në konvikte, shkarkimi i anëtarëve të bordit dhe punësimi i ekselentëve”, deklaroi Migen Qiranxhi.
Për periudhën janar deri më 22 mars, 10 premtime kanë qenë të parealizuara si dhe dy të tjera janë mbajtur jashtë afatit të caktuar: “Nga Pakti për Universitetin kishim muajin shkurt si afat për të realizuar VKM-të që do jetësonin Kartën e Studentit, e cila nuk funksionon. Për bibliotekat online ashtu si edhe për portalin e u-transparencës, kryeministri e premtoi në janar dhe afati u shty për në mars”.
Ndërkohë që 6 pika të tjera kanë hapësirë realizimi deri më muajin qershor: “Për sa i përket Kontrollit anti-plagjiaturë, krijimit të arkivit digjital, ligjit të ri të kodit të sjelljes për integritetin e kërkimit shkencor, janë pika që janë premtuar të realizohen deri në muajin qershor dhe ne po monitorojmë situatën”.
Megjithatë, problematike mbetet sërish transparenca, edhe pse këtë të hënë u lançua portali për shqetësimin e studentëve ku universitetet do të tregojnë financat, një urdhër i mëparshëm i Ministrisë së Arsimit i dalë në janar që detyronte të gjitha universitetet që të publikonin brenda datës 15 të çdo muaji në faqen zyrtare të tyre të dhënat financiare sipas formatit të caktuar, nuk është zbatuar.
I vetmi që e ka ndjekur këtë urdhër është Akademia e Arteve.
Top Channel