Që prej kësaj të hëne, Nitin Sandesara i shumëkërkuar në vendin e tij për pastrimin e 1 miliard dollarëve, nuk do të jetë më Konsull Nderi i Shqipërisë në Nigeri.
Pas zbulimit të fakteve të reja që dolën në dritë nga arrestimi i njërit prej bashkëpunëtorëve teksa po dilte nga Shqipëria përmes aeroportit, Ministria e Jashtme njoftoi ndërprerjen e mandatit të Nitin Sandesarës. Në mënyrë të çuditshme, edhe pse Sandesara dhe i vëllai janë prej dy vitesh në fokus të kërkimeve indiane, të dy ata ia kishin dalë të merrnin pasaportë shqiptare dhe të nisnin madje edhe investimet në fushën e ndërtimit.
Madje, Nitin Sandesara u emërua si Konsull Nderi në Nigeri në janar 2019. Për këtë fakt, Ministria e Jashtme e hoqi përgjegjësinë pasi sipas këtij institucioni emërimi si Konsull Nderi i të shumëkërkuarit është bërë duke marrë në konsideratë kushtet e Konventës së Vjenës.
Por, pavarësisht këtij citimi, Ministria e Punëve të Jashtme nuk jep shpjegim se përse u shkelën procedurat për dhënien e certifikatës së konsullit një të shumëkërkuari kur ligji 8372 në nenin 21 thotë shprehimisht se duhet të shqyrtohet me kujdes përshtatshmëria e figurës për kandidat.
Gjithashtu, në ligj parashikohet edhe argumentimi i hollësishëm i nevojës për të përfaqësuar Shqipërinë me një Konsull Nderi në Nigeri. Por, Ministria e Jashtme referon vetëm shkresën e firmosur nga Helidon Bendo, kreu i Shërbimit Sekret që jep pëlqimin paraprak sipas pikës B të këtij ligji.
Ndërkohë që dy vëllezërit Sandesara vazhdojnë të jenë në kërkim, i treti që është kunati i Cetan Sandesarës dhe që ka qenë drejtuesi më i lartë i kompanisë “Sterling Biotech” e gjithashtu i klasifikuar nga mediat indiane si mendja që krijoi skemën e mashtrimit, u la nga Gjykata e Tiranës me masën e arrestit 30 ditë. Kjo masë me afat u shpall për t’i dhënë kohë autoriteteve indiane të sjellin aktet për esktradimin e tij.
Hiteshkumar Patel ishte shpallur në kërkim në datën 25 janar 2019 nga gjykata e Nju Delhit.
Prokuroria shqiptare ka zgjeruar hetimet pas arrestimit të shtetasit indian Hiteshkumar Patel, i cili kërkohet në vendin e tij në Indi për pastrim parash. Prokuroria ka nisur hetimet për shpërdorim detyre.
Hetimet po zhvillohen për të qartësuar se si kunati i Patel Chetan Sandesara dhe i vëllai u pajisën me pasaportë shqiptare pikërisht në kohën kur të dy ata po kërkoheshin nga byroja qendrore. Për këtë rrethanë, presidenca ka sqaruar se ka zbatuar procedurat ligjore me propozimin e Ministrisë së Turizmit për shkak të angazhimit të tyre për realizimin e investimeve të rëndësishme. Përmes kompanisë “Sterling”, dy vëllezërit Sandesara kanë marrë 725 milionë dollarë amerikanë kredi në bankat shtetërore të Indisë, duke i zhdukur më pas përmes një rrjeti prej 300 kompanish “offshore”.
Top Channel