Duke i rezistuar presionit nga Uashingtoni dhe Brukseli, Italia u bë vendi i parë i G7-s që i bashkohet nismës së polemizuar të Kinës, “Një brez, një rrugë”.
Kryeministri italian, Giuseppe Conte nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me presidentin kinez, Xi Jinping, në Romë, në mbështetje të skemës globale të ndërtimit të infrastrukturës. Conte dhe presidenti kinez shtrënguan duart pas nënshkrimit të 29 seksioneve të ndara të memorandumit, nga ana e pjesëtarëve të të dyja qeverive.
Italia, në “rrugën e mëndafshit”
Memorandumi i mirëkuptimit nuk është i detyrueshëm. Por, duke i hapur rrugën një bashkëpunimi më të madh kinezo-italian, kërcënon të thellojë çarjet mes Romës dhe aleatëve të saj tradicionalë, si dhe brenda për brenda koalicionit të fragmentizuar qeveritar në Itali.
I shpallur në vitin 2013 si një plan ambicioz për ndërtimin e një brezi korridoresh tokësore dhe rrugësh detare, që shtrihen nga Azia në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Europë, nisma “Një brez, një rrugë” ka evoluar, duke përfshirë edhe rajone të tjera, madje edhe infrastrukturën digjitale dhe shkëmbimet kulturore.
Italia shtron tapetin e kuq për të pritur presidentin kinez Xi Jinping
E njohur edhe si “rruga e mëndafshtë”, ajo premton të forcojë tregtinë e Kinës dhe lidhjet e investimeve me pjesë të tjera të botës, e të çimentojë pozicionin e Kinës si një fuqi ekonomike globale.
Top Channel