Prokurori i Posaçëm Robert Mueller ka përfunduar hetimin e tij thuajse dyvjeçar rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016 dhe rreth një bashkëpunimi të mundshëm të fshehtë të fushatës së Donald Trump me Rusinë.
Departamenti i Drejtësisë njoftoi se Mueller i dorëzoi të premten raportin e tij përfundimtar kreut të këtij departamenti, Prokurorit të Përgjithshëm William Barr, i cili po e shqyrton.
Sipas një zyrtari të Departamentit të Drejtësisë, Mueller nuk do të rekomandojë ngritje aktakuzash të tjera në hetimin për Rusinë. Raporti i Mueller, ende konfidencial, pritet të shndërrohet në një arenë për beteja të ashpra publike që do të vijojnë.
Hapat e ardhshëm që mund të ndërmerren pas dorëzimit të raportit janë tani në duart e Prokurorit të Përgjithshëm Barr, Kongresit dhe, me shumë gjasë, gjykatave federale.
Hetimi i Mueller ka hedhur jo pak hije mbi presidencën Trump dhe ka rezultuar në akuza kriminale kundër 34 personave, duke përfshirë gjashtë vetë që shërbenin në ekipin e fushatës së Trump.
Tani, ligjvënësit presin të informohen mbi raportin ndërsa vetë Trump, më herët këtë javë, vuri sërish në pikëpyetje bazat për hetimin, gjatë të cilit është shqyrtuar edhe nëse vetë ai e ka penguar hetimin.
Trump e ka quajtur në mënyrë të përsëritur hetimin e prokurorit Mueller një “gjueti shtrigash” gjatë dy viteve të fundit dhe e ka etiketuar ekipin e tij të hetuesve politikisht të njëanshëm.
Ndërsa vetë Mueller ka lënë pak të kuptohet se si e sheh rolin e presidentit Trump apo familjes së tij në kuadër të hetimit, presidenti dhe shtëpia e bardhë, kohët e fundit, e kanë intensifikuar fushatën politike për të minuar legjitimitetin e hetimit.
Top Channel