“Momenti i fundit i dhunës, më tepër psikologjike, ka qenë para dy ditëve. Kishte fëmijët në shtëpi dhe kur erdhi t’i sjellë, në prani të djalit më tha ‘do të të pres kokën”.
Kështu nis rrëfimin e historisë së dhimbshme, Marsida nga Shkodra , 28 vjeçarja, e cila prej 5 vitesh jetoi nën dhunën dhe kërcënimet e bashkëshortit së bashku me fëmijët e saj.
Sipas Marsidës, xhelozia dhe mungesa e dëshirës për të punuar nga bashkëshorti, u shoqëruan me vështirësi të shumta ekonomike, që u pasuan me debatet dhe dhunën e vazhdueshme psikologjike dhe fizike ndaj saj, shpesh edhe në sytë e fëmijëve.
E ndërsa dhuna u bë e e përditshme, Marsida zgjodhi të divorcohej dhe të jetonte e vetme me dy fëmijët, pavarësisht kushteve tepër të vështira ekonomike që sa vijnë e rëndohen.
“Mundohem të përballoj jetën, por është shumë e vështirë vetëm. Nuk kam mbështetje nga shteti dhe ish bashkëshorti nuk përgjigjet për fëmijët. Shtëpi timen nuk kam dhe ia dal me shumë vështirësi e me borxhe”, tregon Marsida.
Ndonëse gjykata vendosi si detyrim ndaj babait të fëmijëve një pension mujor, ai e zbatoi vendimin vetëm 2 muajt e parë, e më pas nuk u kujtua më.
“Vendimi i gjykatës ka qenë që unë të mbaj fëmijët dhe ai t’i takojë dy herë në javë. E ka respektuar vendimin vetëm dy muajt e parë, sepse më pas nuk është kujtuar as për fëmijët dhe as për detyrimin ndaj tyre”, tha Marsida.
Marsida u bën thirrje të gjitha grave t’i thonë jo dhunës dhe të mos tremben nga divorci, sepse është e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga dhuna.
“Nuk pendohem aspak dhe madje kam një sugjerim për të gjithë gratë, që të mos jetojnë të dhunuara, por t’i drejtohen gjykatës për divorc, pasi më mirë të jetosh vetëm, sesa e dhunuar”, thotë me bindje Marsida.
Top Channel