Dy përfaqësues të lartë të qeverisë Gjermane, Christian Hellbach dhe Thomas Ossowski, në një deklaratë të përbashkët pas vizitave zyrtare në Tiranë, e kanë cilësuar si të gabuar vendimin për djegin e mandateve, si dhe u kanë bërë thirrje të gjitha partive të tregojnë përgjegjësi përkundrejt zgjedhësve të tyre dhe të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të datës 30 qershor.
Christian Hellbach, i Ngarkuari për Evropën Juglindore, Turqinë dhe Shtetet e EFTA-s pranë Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme dhe Thomas Ossowski, I Ngarkuari për Politikat e BE-së pranë Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme zhvilluan sot takime me Kryeministrin Rama, Ministrin e Brendshëm Lleshaj, Ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Cakaj si dhe me kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Teksa theksojnë se i kanë dëgjuar me vëmendje palët, Hellbach dhe Ossowski, shprehen se mbështesin të drejtën për të protestuar, por jo dhunën.
Ata vijojnë më tej duke e vënë theksin tek Parlamenti, kur shprehen se “Është detyra e të gjithë deputetëve të zgjedhur, pikërisht në parlament, me angazhim dhe në mënyrë konstruktive, të çojnë përpara reformat e nevojshme dhe të arrijnë rezultate konkrete. Shqipëria është, p.sh. në reformën e drejtësisë, në rrugë të mbarë. Kurse bojkoti i parlamentit dhe sidomos dorëzimi i mandateve është për ne i gabuar”.
Më tej Hellbach dhe Ossowski u u bëjnë thirrje të gjitha partive të tregojnë përgjegjësi përkundrejt zgjedhësve të tyre dhe të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të datës 30 qershor.
“Rekomandimet e OSBE-ODIHR-it,- të cilat u drejtohen si pushtetit ekzekutiv ashtu edhe atij legjislativ, kanë bërë të qartë, se në cilët sektorë duhet të përmirësohet ende sistemi zgjedhor shqiptar. Qeveria Federale është angazhuar prej muajsh tanimë, që reforma zgjedhore të shkojë përpara dhe ka financuar ndër të tjera punën e ekspertëve të pavarur për këtë qëllim”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Sipas tyre besimi në forcën e votës vjen vetëm me një parlament funksional, duke punuar prë reformën zgjedhore.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive, të punojnë në mënyrë konstruktive për reformën zgjedhore. Akuzat, të cilat kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të kaluara, duhet të verifikohen dhe përpunohen nga drejtësia dhe parlamenti në përputhje me procedurën e parashikuar për këtë”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Top Channel