Një shpërthim i fuqishëm në një impiant kimik në lindje të Kinës ka vrarë të paktën 47 vetë dhe ka plagosur më shumë se 600 të tjerë, sipas njoftimeve të medieve vendase të kësaj të premteje, në atë që rezulton të jetë i fundit i një serie aksidentesh fatale industriale që ka irrituar së tepërmi publikun.

Shpërthimi ndodhi të enjten në Parkun industrial Chenjiagang, në qytetin Yancheng të provincës Jiangsu, ndërsa flakët e zjarrit u vunë nën kontroll vetëm në orën 3 të mëngjesit të së premtes (ora 20 e së enjtes me tonën).

Të mbijetuarit u dërguan në rreth 16 spitale, ku të paktën 640 persona po trajtohen për dëmtime të shumta. Prej tyre, 32 janë në gjendje kritike për jetën, duke bërë që nga momenti në moment të mund të rritet numri i viktimave.

Zjarri që nisi në impiantin e zotëruar prej kompanisë kimike “Tianjiayi” u përhap edhe në dy fabrika të tjera fqinje me të. Nga shpërthimi, siç raportojnë mediet, janë plagosur edhe fëmijë që po luanin në një kopsht aty pranë.

Shkaku i shpërthimit është ende duke u hetuar, por kompania, e cila prodhon më shumë se 30 përbërës kimik organik, disa prej të cilave të djegshme, është gjobitur disa herë për shkelje të sigurisë në punë gjatë së kaluarës.

Presidenti Xi Jinping, i ndodhur në Itali për një vizitë shtetërore, urdhëroi të bëhet çdo përpjekje e mundshme për t’iu ardhur në ndihmë të plagosurve, e sigurisht “të ruhet stabiliteti shoqëror”. Sipas tij, autoritetet duhet të përshkallëzojnë veprimet për të parandaluar në të ardhmen incidente të tjera, sikurse edhe për gjetjen e shkakut të shpërthimit sa më shpejt të jetë e mundur.

FOTO GALERI
1/38

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA