Një konferencë me nota humori dhe ironie, edhe pse vinte pas më shumë se 8 orë diskutimesh, ishte ajo e mbajtur nga presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, në krah të të cilit ishte edhe presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.
Të dy krerët e BE-së dolën përpara medieve për t’i informuar mbi vendimin që kishin marrë udhëheqësit e 27 vendeve të tjera të bllokut mbi planin për të shtyrë procesin që rrjedh nga aktivizimi i nenit 50, përtej 29 marsit të përcaktuar me ligj.
Çasti i parë që nxiti të qeshurat e të pranishmëve në sallë ishte lapsusi i Tuskut në lidhje me datën e shtyrjes së “Brexit”-it sipas skenarit të dytë, i cili është ai nëse ligjvënësit e Dhomës së Komunëve nuk e miratojnë marrëveshjen e shkëputjes së rakorduar mes Mayt dhe BE-së, që do të hidhet në votim javën e ardhshme për të tretën herë.
“Në këtë skenar, BE-ja ka rënë dakord që të shtyjë Brexit-in deri më 20 prill…12 prill më falni”, shprehet Tusk. Kjo është në fakt shtyrja më afatshkurtër e rakorduar.
I pyetur më tej për skenarin e parë, ai nëse ligjvënësit miratojnë pas 3 përpjekjesh paktin May-BE, se “sa e gjatë mund të ishte zgjatja afatgjatë” e Brexit-it nga një reporter, i cili u duk sikur bënte lojëra fjalësh, kjo situatë i la pa fjalë si Junckerin, ashtu dhe Tuskun.
Ish-kryeministri polak iu drejtua ish-kryeministrit luksemburgas me pyetjen ironike “a ke ndonjë ide?”. Ky i fundit ia ktheu përgjigjen Tuskut dhe reporterit sërish në mënyrë të papërcaktuar “deri në fund”, një shprehje që mund të interpretohet edhe si “gjithmonë ose pa fund”.
Por, ajo që i vuri vulën konferencës, që u mbyll mes të qeshurave të të gjithëve, ishte përgjigjja që shkaktoi pyetja e një reporterje duke iu referuar një deklarate të ashpër më të hershme të Tuskut, që kishte të bënte me ferrin.
“Presidenti Tusk, keni thënë më parë se ka një vend special në ferr për ata që promovonin një Brexit pa plan. Mirë, por marrëveshja për shkëputjen është pjesë e një plani. Nëse ligjvënësit britanikë nuk votojnë në favor të saj javën e ardhshme, mendoni se ai vend special në ferr duhet zgjeruar, për të përfshirë më shumë ligjvënës britanikë?”, ishte pyetja e reporteres.
“Sipas Papës, ferri është ende bosh. Kjo nënkupton se ka shumë vende”, tha Tusk.
Top Channel