Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan bëri thirrje këtë të premte për një luftë globale kundër islamofobisë në rritje, ngjashëm me antisemitizmin pas holokaustit, pas sulmeve vdekjeprurëse në dy xhami të Zelandës së Re.
Udhëheqësi turk e ka prezantuar rastin e sulmeve në xhami, nga i ashtuquajturi supremacist i bardhë që vrau 50 vetë, si një sulm më të gjerë ndaj Islamit dhe kërkon nga Perëndimi që të bëjë më shumë kundër ndienjave antimyslimane.
“Ashtu siç njerëzia luftoi kundër antisemitizmit pas fatkeqësisë së holokaustit, po me të njëjtën vendosmëri duhet të luftojë edhe kundër islamofobisë në rritje”, tha Erdogan gjatë një takimi të ministrave nga Organizata për Bashkëpunimin Islamik në Stamboll. “Në këto kohë po përballemi me një valë të gjerë islamofobie dhe urrejtjeje ndaj myslimanëve”, tha ai.
Erdogani tha se grupet neonaziste të ekstremit të djathtë duhen trajtuar si terroristë, në të njëjtën shkallë me xhihadistët e Shtetit Islamik.
Më 15 mars, agresori australian Brenton Tarrant vrau 50 burra, gra e fëmijë, viktima këta të grupmoshave nga 3 në 77 vjeç, e la edhe dhjetëra të tjerë në një sulm që shkaktoi indinjatë globale. Ai transmetoi drejtpërdrejt pjesën kryesore të sulmit, teksa kishte përhapur në rrjetet sociale edhe manifestin e sulmit, duke pretenduar se ajo që po bënte ishte një goditje ndaj myslimanëve “pushtues”.
Qeveria e Zelandës së Re garantoi sërish të premten myslimanët që jetojnë në vend se “do të jetë të qetë dhe të sigurtë” pavarësisht sulmeve vdekjeprurëse në Christchurch.
Erdogani, i cili po bën fushatë për zgjedhjet lokale këtë muaj, ka irrituar Zelandën e Re teksa ka shfaqur vazhdimisht videon e bërë nga agresori, një australian i cili është arrestuar prej asaj dite. Por, presidenti turk ka irrituar edhe Australinë, me komentet mbi australianët antimyslimanë që u kthyen me “arkivole” si gjyshërit e tyre në Gallipoli, një nga betejat e Luftës së Parë Botërore.
Megjithatë, ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu lavdëroi autoritetet neozelandeze të premten për reagimin e tyre dhe i falënderoi për “mesazhet e sinqerta të solidaritetit”.
Top Channel