Për herë të parë nga nisja e valës së protestave, Lulzim Basha e ka ndjekur në distancë atë të kësaj të enjteje pasi ndodhet në Bruksel në mbledhjen e Partive Popullore Europiane. Basha nuk ka bërë një koment të drejtpërdrejtë për atë çfarë po ndodhte në Tiranë, por zgjodhi të citojë mikun e tij Joseph Daul.
“Presidenti i PPE Joseph Daul në emër të të gjithëve deklaroi qartë se “ne nuk mund të bëjmë kompromise me demokracinë, shtetin ligjor dhe lirinë e medias.” PD po lufton për të njëjtat vlera europiane në Shqipëri dhe në këtë betejë kemi mbeshtetjen e PPE, familjes sonë politike”, shkruan Basha.
Prej disa ditësh kryeministri Edi Rama ndodhet jashtë vendit. Kjo ka shërbyer si burim i disa spekulimeve që lidhen me shëndetin e kreut të qeverisë të cilat vetë Rama dhe kabineti i tij i kanë hedhur poshtë.
“Po boll o boll, boll se s’kam asgjë tjetër përveç larjes së jashtë-nxjerrjeve tuaja nëpër botë boll! Opozitë e katandisur në një tufë qorre që mësyn, fizikisht rrugëve dhe bën politikë, duke sajuar kriza për vendin e sëmundje, për kundërshtarin! O pika që s’ju bie kur thonë plakat”, shkruante Rama.
Në një kohë kur Rama dhe Basha ndodhen jashtë vendit me axhendat respektive, nuk kanë munguar në rrjetet sociale komentet konspirative për një takim mes tyre në një territor asnjanës larg fushë-betejës politike të Tiranës.
Top Channel