Gjykimi për tjetërsimin e tokave në bregdetin e Spillesë po shkon drejt fundit. Prokuroria e Kavajës ka kërkuar nga gjykata një dënim prej 28 vitesh heqje lirie në total për 9 të pandehurit, ish-zyrtarë publikë vendorë, si dhe çrregjistrimin e pronësive në hipotekë e kalimin e tyre në pronësi të shtetit.
Përmes shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumentave të pandehurit akuzohen se kaluan në pronësi të shtetasve të ndryshëm sipërfaqe të konsiderueshme të bregdetit të Spillesë. Hetimet nisën në pranverën e vitit 2017, kur Komanda e Forcës Ajrore dhe komisariati i policisë Rrogozhinë bënë kallëzim penal për tjetërsimin e pronësisë së poligonit të qitjes në Rreth-Greth dhe tokave në bregdet.
Tjetërsimi i brezit të blertë të Spillesë dhe sipërfaqeve të tëra toke në një nga zonat më të bukura të Adriatikut u bë nga zyrtarët nën gjykim përmes falsifikimit të dokumenteve, administrimit të dokumenteve me rrethana të rreme në praktikat e pajisjes me AMTP deri në regjistrimin e tyre në ZVRPP Kavajë. Numri i të akuzuarve të përfshirë në këtë dosje ishte më i madh, po për një pjesë prej tyre u kërkua pushimi i çështjes.
Për shkak të dëmit publik të shkaktuar dhe numrit të madh të të akuzuarve, ish-zyrtarë publikë të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Kavajë dhe njësisë administrative Kryevidh, në territorin e së cilës ndodhet sipërfaqja e tjetërsuar e plazhit të Spillesë, kjo është një nga dosjet më të bujshme të abuzimit me tokat shtetërore që po shkon drejt fundit të gjykimit dhe dhënies së drejtësisë.
Top Channel