“Presidenti amerikan Donald Trump e ka tërhequr nominimin e zyrtares së lartë, që pritej të konfirmohej si ambasadore e SHBA-ve në Shqipëri”, thotë gazetarja amerikane Sarah Carter, e cila pretendon se njeh edhe arsyen e kësaj lëvizjeje.
Carter ka folur për “Fox News”, ndërsa e ka bërë publik informacionin edhe në profilin e saj në Twitter.
Duke cituar një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, në artikullin e saj reporterja shpjegon se Kathleen Ann Kavalec është emëruar përmes procesit të karrierës, por presidenti ia ka tërhequr nominimin.
Kavalec, nga sa pretendon ajo duke cituar të njëjtin burim, nuk është në pritje në Senat dhe nuk është konfirmuar asnjëherë në këtë post.
Gazetarja hulumtuese mendon se ka zbuluar shkakun e një vendimi të tillë. Sipas saj, zyrtarja e DASH-it ka komunikuar me ish-agjentin britanik, Christopher Steele, i cili kishte hartuar një dosje me pretendime shkeljesh e komploti ndërmjet fushatës presidenciale të Trumpit dhe Moskës në zgjedhjet e vitit 2016.
Carter thotë se kanë dalë në dritë informacione që tregojnë se, Kavalec u takua personalisht dhe ka pasur komunikim të vazhdueshëm me Steele, para dhe pas zgjedhjeve presidenciale.
Ajo, po kështu thekson se punonjësja veterane e DASH-it, e cila ka punuar edhe për zëvendëssekretaren e Shtetit, Victoria Nuland, është mbështetëse e ish-presidentit Barack Obama dhe ish-kandidates demokrate në garën për Shtëpinë e Bardhë, Hillary Clinton, dhe se ka bërë për fushatat e secilit prej tyre nga një donacion të vogël prej 250 dollarësh.
Faqja e internetit e Departamentit të Shtetit, ndërkohë, vazhdon ta tregojë Kathleen Ann Kavalec si kandidate. Vetë kjo e fundit nuk iu është përgjigjur kërkesave për koment, të paraqitura në rrugë zyrtare.
Top Channel