Efektivin i policisë Adrian Domi që shoqërohet nga Top Story për në Protestë, futet ndërkohë mes kolegëve. Udhëzimet janë të qarta, shmangni provokimet dhe përplasjet me protestuesit.
“Atëherë në lidhje me protestën që zhvillohet nga subjekti PD, në zbatim të urdhrit të shërbimit, lidhur me detyrat konkrete dhe vendet e shërbimit, ju dua që të jeni të gjithë të qetë, të mos provokohemi nga llojet e mënyrat që mund të hasim dhe çdo gjë do vendos zinxhiri komandues, dëgjoni, planifikohen 90 punonjës policie me kamera trupi me 5 oficerë përgjegjës”, komandon shefi i rendit.
Detyrat tashmë u ndanë, por nisur nga protestat e kaluara, eprorët e Policisë së Shtetit përsërisin sërish urdhrin për të mos rënë pre e provokimeve.
“Do vijë flakadani në kohë, do vijë tymuesja në kokë, ndaj them jo celular, jo muhabet, sytë nga turma, provokimet mund të jenë të ndryshme, s’keni pse ktheni asnjë përgjigje, fare”, urdhëron shefi i rendit.
Direktivat nuk lidhen vetëm me rrjedhën normale të një proteste. Punonjësit e rendit, udhëzohen se si duhet të veprojnë në rast se ka një tentative për çarjen e kordonit nga turma dhe avancimin e saj drejt Kryeministrisë.
Në fund, pasi gjithçka qartësohet, ka edhe një porosi njerëzore duke u pyetur efektivët nga shefi I rendit nëse ka ndonjë që nuk ndihet mirë nga ana shëndetësore.
“Ka ndonjë që s’ndihet mire nga ana shëndetësore? S’ka. Shërbim të mbarë”, uron shefi i rendit.
Top Channel