Një nga premtimet e Reformës në Drejtësi ishte pikërisht heqja e gjyqtarëve të deleguar për çështje konkrete, jashtë gjykatave ku ata punojnë.

Por, megjithëse Këshilli i Lartë Gjyqësor ka mbushur 3 muaj, gjyqtarët vazhdojnë të “fluturojnë” nga njëra gjykatë në tjetrën.

Siç ka vepruar më herët Këshilli i Lartë i Drejtësisë, edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor ka deleguar deri më tani 260 gjyqtarë në çështje gjyqësore, sikurse ishte së fundmi dosja “Izet Haxhia”, për të cilën, pasi u ezauruan gjyqtarët e Apelit të Tiranës, KLGJ-ja ndërhyri duke deleguar si trupë, gjyqtarë të Apelit për Krimet e Rënda.

Por, Reforma në Drejtësi parashikonte një risi, e cila ende nuk është vënë në zbatim. Struktura do të quhet “skema e delegimit” dhe pritej që brenda saj të përfshiheshin së paku 10 gjyqtarë, të cilët atashohen pranë KLGJ-së dhe, në raste të konsumimit të gjyqtarëve, KLGJ ndërhyn duke hedhur në short pikërisht nga gjyqtarët e skemës.

Për të kapur afatet, KLGJ-ja ka publikuar thirrjen ndaj gjyqtarëve që mund të kandidojnë për të qenë pjesë e “skemës së delegimit”, por aty ka një ndryshim.

Thirrja, sipas ligjit duhet t’i drejtohet çdo gjyqtari, por KLGJ-ja e ka kufizuar apelin duke nxjerrë jashtë loje gjyqtarët e gjykatave të vogla, gjë që pakëson mundësitë për ta ngritur skemën brenda afateve.

E gjitha kjo do të sjellë të njëjtën frymë dhe situatë, atë që Top Channel e quajti një vit më parë “gjyqtarët fluturues”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA