Top Show trajtoi këtë martë, një vendim të një gjykate amerikane në Florida, i cili ka risjellë sërish debatin për ngjarjen e Gërdecit, 11 vjet pas shpërthimit me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.

Gjykata amerikane e Distriktit Jugor të Floridës ka rrëzuar padinë për shpifje të Shkëlzen Berishës, ndaj autorit amerikan Guy Lawson, autor i librit për Gërdecin “Arms and the Dudes”.

Por siç ndodh rëndomë, edhe vendimi i gjykatës amerikane lexohet në variante të ndryshme në Tiranë, ndaj për të hedhur më shumë dritë, të ftuarit diskutuan për të në studion e Top Show-t.

Shkëlzen Berisha, djali i ish kryeministrit Sali Berisha dhe një nga emrat e përfolur si i përfshirë në aferën e Gërdecit, ndërhyri në emisionin Top Show, nëpërmjet një lidhjeje telefonike, ku dha shpjegimet e tij për çështjen.

Pse atakuat vetëm shtëpinë botuese dhe autorin e këtij libri?
Padinë time nuk e kam pasur vetëm ndaj shtëpisë botuese dhe autorit të firmës, por edhe ndaj Diverolit, e kompanisë AEY. babai im, gjatë gjithë kohës që ka qenë kryeministër, më ka ndaluar të nis padinë ndaj medias, ndaj jam përgjigjur gjithmonë me deklarata publike. të njëjtën gjë kam bërë edhe me shkrimin e New York Times. Por të gjitha këto që janë thënë edhe në libër, janë të pavërteta dhe do të provohen herët apo vonë. Arsyeja që ngrita padinë është për të rikuperuar dëmin që më është shkaktuar, por edhe për të zbardhur të vërtetën, a ka qenë apo jo Shkëlzen Berisha, i lidhur me kompaninë AEY. Të gjithë shkrimet e mediave shqiptare dhe të huaja, i janë referuar deklaratës së Efraim Diverolit, në bisedën me Kosta Trebickën. Kjo rrëzon 10 vjet shpifje dhe llum që janë hedhur ndaj meje nga makineria politike në Tiranë.

Janë një sërë indiciesh të cilave u referohen dhe jo vetëm komunikimi i Diverolit me Kosta Trebickën…
Unë fola vetëm për çështjen e implikimit të emrit tim për lidhje me kompaninë AEY, pasi janë dy çështje të ndara. Sa u përket tabulateve, edhe Edi Rama ka 200 tabulate me Delijorgjin, sepse ka qenë kryetar bashkie dhe ky i dyti biznesmen ndërtimi. Unë nuk mohoj që kam folur me Delijorgjin, por për çfarë kam folur, këtë e deklaroj me përgjegjësi të plotë ligjore, që nuk kam folur për aktivitetin e tij.

Tani diçka është afër mendsh… Ju nuk mund të keni folur me Delijorgjin, për të pirë një kafe, ndërkohë që kishte shpërthyer në Gërdec…
Nuk kam folur për kafe dhe nuk e thashë këtë, por ju garantoj që nuk kemi folur për aktivitetin e kompanisë së tij në Gërdec.

A kishit dijeni për faktin që burri i tezes tuaj punonte për kompaninë e Delijorgjit në Gërdec?
Unë sapo isha kthyer dhe nuk është se kisha një marrëdhënie kaq të afërt me burrin e tezes, që të kisha informacion të detajuar se ku dhe për kë punonte. Unë di të them që mes qindra njerëzve të pyetur nga prokuroria, nuk ka asnjë rresht të vetëm që implikon emrin tim në këtë rast.

Dyshimet janë hedhur për faktin se ju nuk u thirrët për të dëshmuar, për shkak të pozitës tuaj atëherë, si djali i kryeministrit të vendit…
Unë mund t’u them se nuk kam pasur asnjë lloj imuniteti nga ana e babait tim atë kohë, por nuk është puna ime t’i mësoj prokurorisë së çfarë duhet të bëjë.

Flitet edhe për një lloj presioni të bërë ndaj prokurorisë, që mund të jetë intimiduar atëherë…
Personi që ka qenë Prokurore e Përgjithshme, megjithëse nuk ka qenë mbështetëse apo simpatizante e babait tim, ka marrë me qindra dëshmi dhe nuk ka gjetur asnjë rresht të vetëm ku të përfshihet emri im.

Nëse ky proces do të rihapet dhe do të keni një fletëthirrje, cili do të jetë qëndrimi juaj?
Kjo është pyetje retorike, pasi unë jam në respekt të ligjit dhe nëse ligji më kërkon të dëshmoj, do ta respektoj.

Pse Luan Hoxha i tha Ambasadorit Amerikan se ka presion nga ju, për të shtuar ritmin e punës në Gërdec?
Ju duhet të lexoni dëshminë dhe deklaratën publike të Luan Hoxhës, i cili ka thënë publikisht se nuk ia ka thënë këto gjëra ambasadorit John Withers.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA