Gati një vit pas ekstradimit nga Turqia, Izet Haxhija fiton betejën e parë me drejtësinë shqiptare për t’u rigjykuar pas dënimit të marrë në mungesë me 25 vite burg për vrasjen e Azen Hajdarit.
Gjykata për Krime të Rënda ka pranuar paraditen e të kësaj të hëne, kërkesën e Izet Haxhisë për hapjen e dosjes ‘Hajdari’.
Tre gjyqtarët e Krimeve të Rënda Dhimitër Lara, Nure Ndreni dhe Sokol Binaj vendosën të prishin dy vendimet që kishin dënuar Haxhinë për ta rihapur procesin me një tjetër trup gjykuese në Shkallën e Parë.
Bashkim Nikolla avokati Izet Haxhisë duke komentuar këtë vendim u shpreh se “Hapet e drejta për t’u dëgjuar. Kemi siguruar të drejtën të dëgjohemi. Provat janë materiale, tabulate, dhe dëshmitarë. Me të gjitha këto ne do të provojmë pafajësinë që i është faturuar të përfaqësuarit prej meje” theksoi ai.
Avokati Nikolla tha se ne krye të listës së dëshmitarëve që do të thirren është Sali Berisha. Mbrojta e Izet Haxhisë ka depozituar në gjykatë një kërkesë për të dëshmuar 44 persona mes tyre edhe ish kryeministri Fatos Nano, ish kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, ish-kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli dhe shumë gazetarë e politikanë të kohës.
Top Channel