Sektori antiterrorizëm i policisë australiane ka kryer kontrolle në dy shtëpi mëngjesin e kësaj të hëne, që kanë lidhje me agresorin që shkaktoi vdekjen e 50 personave në dy xhami të ndryshme të Zelandës së Re javën e kaluar.
Shtëpitë ndodheshin në qytezat Sandy Beach dhe Lawrence të shtetit New South Wales, që të dyja shumë pranë qytetit të Graftonit, ku agresori Brenton Tarrant është rritur.
“Objektivi i parë i këtij kontrolli është sigurimi formal i materialeve që mund të ndihmojnë policinë neozelandeze në hetimin që po zhvillojnë”, tha policia në një deklaratë për mediet.
Sipas tyre, familja e Tarrant “vazhdon të ndihmojë policinë në hetimin e saj”, ndërkohë që nuk ekziston asnjë dyshim “për një kërcënim aktual apo të afërt” ndaj komunitetit.
Tarrant, i vetëshpallur supremacist i bardhë, kaloi rininë e tij në Grafton, por ka udhëtuar shpesh jashtë shtetit përgjatë dekadës së fundit, ndërkohë që vitet e fundit ka jetuar në Dunedin të Zelandës së Re.
Heronj në masakrën ndaj myslimanëve në Zelandën e Re
Ai akuzohet tashmë për vrasje atje, pas masakrës së të premtes që i mori jetën 50 vetëve dhe plagosi edhe rreth 50 të tjerë në dy xhami të Christchurchit.
Ministri i Brendshëm australian, Peter Dutton tha të hënën se, Tarrant kishte kaluar vetëm 45 ditë në Australi përgjatë 3 viteve të fundit dhe se nuk ishte pjesë e “listës nën mbikëqyrje” të terroristëve të dyshuar.
Ai refuzoi dhe i quajti të turpshme kritikat se agjencitë antiterrorizëm të Australisë e kishin neglizhuar kërcënimin e ekstremistëve të krahut të djathtë, siç ishte edhe ai i Tarrant, për shkak të fokusit të tyre në luftën kundër radikalëve islamikë. Sipas tij, Organizata australiane për Kundërzbulimin dhe Sigurinë (ASIO), agjencia kryesore antiterrorizëm në vend, ndjek nga afër të gjitha aktivitetet e grupeve të ekstremit të djathtë.
Top Channel