Familjarët e të dyshuarve për fajde që u arrestuan në Shkodër akuzojnë ish-prefektin, Paulin Radovani, se ka përvetësuar parà dhe ka krijuar një skemë të ngjashme me firmat piramidale.
Emri i ish-prefektit Radovani doli gjatë seancës për masën e sigurisë, të shtunën, si personi nga ku ka nisur zbulimi i këtij fenomeni, pasi djemtë e tij u kishin borxhe disa personave, e si rrjedhojë i ati humbi një pjesë të biznesit.
Disa të afërm të të arrestuarve e kanë kundërshtuar këtë pretendim, duke thënë se paratë u janë dhënë djemve të tij sepse i kishin miq.
Një prej avokatëve i quan arrestimet një shfaqje mediatike të qeverisë.
“Sipas avokatit, gjatë seancës gjyqësore është thënë se nuk ka pasur asnjë kërcënim ndaj ish-prefektit Paulin Radovani dhe familjes së tij, si dhe nuk ka asnjë provë, të paktën deri tani, që paratë janë dhënë me interes”, tha Anton Kosteri, avokat.
Prej dy muajsh, ish-prefekti është nën urdhër mbrojtjeje dhe policia siguron jetën e tij. Ndërkohë që mësohet se djemtë e tij nuk gjenden në Shqipëri. Mjeti me të cilin ata lëviznin është parë në Mal të Zi.
Burimet thonë se zinxhiri i parave me fajde bëhej për shkak të vesit të bixhozit që kishin dy të rinjtë. Borxhet ishin marrë për të mbyllur të tjera borxhe, e të përfshirë janë shumë persona, të cilët kanë dalë garant për dhënien e parave me përqindje të larta.
Policia arrestoi të premten 12 persona në Shkodër, mes të cilëve ish-kancelarin e gjykatës, një notere dhe ish-drejtorin e Transporteve në qytet, të dyshuar për një skemë dhënieje parash me interes deri në 20 për qind në javë, e ku shumë klientë viktima të rrejtit janë detyruar të japin dyqane dhe prona, pasi nuk kanë paguar dot në kohë.
Top Channel