Kryeministri Edi Rama ishte në Berat ku tha se qeverisja nuk cenohet nga protestat, ndërkohë që sipas tij dëmtohet ekonomia dhe imazhi i vendit. Në një takim me operatorët turistikë të qytetit të Beratit, një prej pjesëmarrësve i tha kryeministrit se rezervimet e turistëve kanë filluar të anulohen dhe sipas tyre kjo lidhet me situatën politike.

“E në këtë rast, e vetmja pikë, e vetmja gjë, i vetmi segment që nuk cënohet sado paradoksale që të duket është qeveria dhe shumica qeverisëse në aspektin e numrave. Gjithçka tjetër preket. Qeveria nuk preket. Ndërkohë që, preket ekonomia e kujtdo. Rënia e numrit të turistëve për shkak të frikës që krijohet nga imazhet mizerabël që përçojnë jashtë kufijve këto sherre dhe rrëmuja, do të thotë rënie e parasë që hyn në vend. Turistët nuk janë statistika. Janë xhepa të mbushur që vijnë për t’u zbrazur këtu”, tha Rama.

Edhe rruga i intergrimit europian sipas Ramës cenohet nga sherret politike.

“Ashtu sikundër, është edhe ana tjetër. Sigurisht që këto lloj konvulsionesh, ngërçesh, bllokimesh, pengesash dhe shfaqjesh papjekurie në raport me detyrimet ndaj sistemit që kemi zgjedhur nuk është se na e bëjnë më të lehtë me partnerët tanë europianë procesin që duhet të kurorëzojmë për të hapur negociatat”, u shpreh kryeministri.

Rama tha me tej se hartohet një program i ri për restaurimin e shtëpive monument kulture me qellim rritjen e kapaciteteve turistike.

“Shtëpitë tradicionale të shpëtohen nga degradimi dhe nga rrënimi e jo pak shtëpi janë rrënuar për fat të keq në të gjithë këto vite, sidomos në Gjirokastër; Të rritet kapaciteti ekonomik i familjeve që praktikisht kanë një pasuri të fjetur në duar dhe mezi e arrijnë fundin e muajit”, tha ai.
Një tjetër mbështetje sipas kryeministrit do të vijë për hapjen e muzeve që lidhen me prodhimet tradicionale. Diskutimet kanë nisur për hapjen e muzeut kombëtar të rakisë në Korçë.

“Ne në kuadër të programit të 100 fshatrave do ndërtojmë muzeun kombëtar të rakisë. Të gjitha rakitë që prodhohen në Shqipëri, të mbledhura në një muze që është muze do jetë një muze aktiv ku njerëzit do vijnë, do shohin dhe mund jo t’i prekin, por dhe t’i pinë objektet, që do të jetë një bum i madh për turizmin, i cili dimensionin e pijes e ka dimension të patjetërsueshëm. Ndërkohë, jemi duke diskutuar dhe kjo kërkon një tryezë të veçantë me këta konkurrentët e verës për të ndërtuar një muze të verës shqiptare në Berat”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA