Burime për Top Channel bëjnë me dije se rreth 1800 efektivë policie janë angazhuar gjatë ditës së sotme, për të garantuar mbarëvajtjen e protestës së opozitës së bashkuar.
Precedenti i 16 shkurtit, kur protesta degjeneroi në akte dhune, por edhe raportimet në ditët e mëparshme, se elementë kriminalë mund të përfshihen për të krijuar destabilitet, kanë rritur angazhimin dhe gatishmërinë e forcave policore.
Krahas policisë së rendit, në mbarëvajtjen e protestës do të angazhohen edhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ata të repartit Shqiponja. Gjithashtu raportohet se në ndihmë të policisë së Tiranës, kanë ardhur edhe efektivë të shumtë nga policitë e rretheve.
Sipas burimeve të Top Channel, ashtu si në protestën e 16 Shkurtit, kordoni i parë që do të përballet me protestuesit, është ai i Policisë së Rendit, ndërsa është minimizuar prezenca e efektiveve femra në këtë radhë.
Anash dhe pas kryeministrisë, janë pozicionuar edhe efektivë të forcave RENEA, të cilët mund të ndërhyjnë vetëm me urdhër të Drejtorit të Policisë.
Gjithashtu, oficerë të antiterrorit do të kontrollojnë personat që dyshohen si elementë të rrezikshëm dhe punonjësit e Gardës së Republikës do të monitorojnë situatën me dylbi, nga tarracat e institucioneve.
Risi nga protesta e 16 Shkurtit, është një rrethim metalik që i është bërë perimetrit të kryeministrisë, ndërsa është hequr edhe skela para hyrjes së godinës, e cila u përdor nga protestuesit për të goditur xhamat e derës herën e kaluar.
Top Channel