Administrata e aviacionit federal në Shtetet e Bashkuara i ka kërkuar Boeingun t’i bëjë disa ndryshime avionëve të tij 737 Max8. Dy rrëzime brenda 5 muajsh ngritën pikëpyetje të mëdha mbi këtë model, megjithatë në Shtetet e Bashkuara ai do të vazhdojë fluturimet.
Prodhuesi më i madh i avionëve në botë do t’i vendosë Max 8-tës një softuer të ri e do të rishikojë sistemit e manovrimit.
Sekretarja e transportit ne SHBA, Elaine Chao i siguroi pasagjeret se autoritetet i kanë marrë shumë seriozisht zhvillimet e fundit e po bëjnë të gjithë verifikimet e nevojshme. Boeing 737-ta është konsideruar deri vonë si shtylla kurrizore e flotave te avionëve në mbarë botën.
Por cili është problemi me këtë model?
Ekspertet shpjegojnë se me zhvendosjen e motorëve avioni ka tendencën që të ngrejë majën e tij. Në rastin më të keq kjo mund të shkaktojë efektin e çarjes së fërkimit me ajrin, pra ngadalësimin e motorëve dhe rrëzimin e mjetit.
Për ta shmangur këtë efekt Boeingu ka instaluar sistemin e quajtur MCAS (Maneuvering Characteristics Augmentation System), fale te cilit, me të kuptuar situatën e vështirë të fluturimit hunda e avionit ulet automatikisht e kësisoj i shmanget efektit të fërkimit me ajrin. Megjithatë fillimisht kompania nuk ua komunikoi sic duhet këtë risi pilotëve.
Për këtë arsye, pilotët e avionit të Lion Air te rrëzuar në Indonezi tetorin e 2018-s luftuan për minuta të tëra me avionin, që me sa duket gabimisht vazhdimisht e ulte hundën në mënyrë automatike, ndërsa përpiqeshin për të kundërtën dhe tentonin të fitonin lartësi.
Ndërkohë, Australia dhe Malajzia vendosi t’ua ndalojë fluturimin Max 8-tave derisa të ketë informacione më të plotë mbi rishikimin e rreziqeve të sigurisë së këtyre avionëve.
Top Channel