Ndërprerja masive e energjisë elektrike në Venezuelë vijon ndërkohë që priten edhe protesta. Presidenti Nikolas Maduro dhe opozita e mbështetur nga SHBA, që po përpiqet ta rrëzojë atë, kanë fajësuar njëri-tjetrin për atë që po ndodh.

Spitalet funksionojnë me shumë vështirësi, me të paktën një pacient që raportohet të ketë humbur jetën, kur aparati frymëmarrës u ndal. Ndërprerjet e energjisë nisën që të enjten dhe janë shkaktuar nga probleme në impiantin kryesor hidroenergjitik të vendit.

Venezuela varet tek infrastruktura e saj e gjerë hidroelektrike dhe jo tek rezervat e saj të naftës për furnizimin e brendshëm me energji. Por dekada mungese investimesh kanë dëmtuar digat kryesore dhe black out-et sporadike janë të zakonshme.

Maduro ka akuzuar opozitën për sabotazh, ndërsa zëvendësi i tij ka drejtuar gishtin nga SHBA. Ministri i Komunikacioneve, Jorge Rodrigez tha se ndërprerja e energjisë ka ardhur si pasojë e një sulmi kibernetik amerikan.

“Është një sulm brutal nga qeveria amerikano-veriore e Donald Trump, që nuk resht së menduari se si të dëmtojë Venezuelën, që nuk resht së menduari bashkë me aleatët e tij këtu, se si të grabisin paratë e Venezuelës”, tha ministri Rodrigez.

Edhe ministri i Mbrojtjes në Venezuelë tha se perandoria amerikano-veriore qëndronte pas agresionit kriminal, që kishte si qëllim të dëmtonte qeverinë e Nikolas Maduros. Thuajse të 23 shtetet e Venezuelës u zhytën në errësirë të enjten pasdite, pas black out-it më të madh të regjistruar vitet e fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA