Shumë qytetarë të Tiranës kanë zgjedhur të mbjellin pemë për të kujtuar data të veçanta në jetën e tyre, si ditëlindje apo përvjetorë. Teksa vijon fushata e Bashkisë së Tiranës për të shtuar gjelbërimin në qytet, kryeqytetasit janë ndërgjegjësuar duke dhuruar një pemë fëmijëve, nipërve e mbesave.
Surprizës së bukur të Vasilika Kitës për nipat e saj iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. “Jam shumë mirënjohës për Vasilikën, ish-punëtorja e përkushtuar e Arkivës, sot në pension, që i kujton fëmijët e nipërit me mbjelljen e këtyre pemëve. Pak minuta më parë, një grup nga komuniteti ndërkombëtar që jeton në Tiranë, mbolli një pemë për një kolegen e tyre norvegjeze që kishte ndërruar jetë, dhe pak më përpara, dy binjakë për ditëlindjen e tyre mbollën një pemë”, tha Veliaj, teksa theksoi se Tirana është produkt i heronjve që punojnë çdo ditë.
“Ky qytet është produkt i heronjve të pakënduar, i heronjve të paparë, i heronjve të vegjël, që ndoshta nuk i njeh njeri, por që japin më shumë kontribute se sa politikanë që thonë do bëjnë hatanë dhe nuk prodhojnë asgjë”, tha ai.
Teksa shprehu bindjen për thyerjen e rekordit të vjetshëm në mbjelljen e pemëve, kryebashkiaku ftoi qytetarët që për festa apo për çdo datë të shënuar për ta, ta përkujtojnë duke dhuruar pemë për qytetin. “Jam i bindur se po të vazhdojmë me këtë ritëm, jo vetëm do i kalojmë 100 mijë pemët që kishim planifikuar për këtë vit, por do vendosim edhe një standard të ri. Kemi përpara edhe Ditën e Verës, një arsye më shumë për të mbjellë pemë”, shtoi Veliaj.
E moshuara Vasilika Kita, e cila vendosi të bëjë këtë dhuratë të bukur për nipërit e saj, vlerësoi kryebashkiakun Veliaj për nismën dhe ndryshimet që po pëson Tirana. “Qyteti është me fat që ju ka juve dhe unë shpresoj që t’ju ketë edhe për shumë kohë; jam e bindur se do t’ju ketë, sepse ju latë gjurmë në Tiranë. Nuk kam dëgjuar një njeri nga ana tjetër që të thotë Erion Veliaj nuk punon. Jo, përkundrazi”, tha Vasilika Kita.
Në Parkun e Liqenit u mbollën sot edhe dy pemë për 5-vjetorin e lindjes së dy binjakëve Marinin dhe Noemin, ndërkohë që anëtarë të organizatës “International Friends in Tirana”, dhuruan një pemë në nder të mikes së tyre Else Veum, e cila humbi betejën me kancerin në Janar të 2019 në moshën 50 vjeçare. Else ishte një adhuruese e natyrës shqiptare dhe e Tiranës veçanërisht, ku jetoi dhe punoi për tre vite në qytetin tonë së bashku me familjen e saj, djalin dhe bashkëshortin.
Top Channel