Mijëra gra zbritën mëngjesin e së premtes në rrugët e kryqytetit të Filipineve, Manila për të protestuar kundër Presidentit Rodrigo Duterte, i akuzuar si paragjykues ndaj femrave.
Nga ana tjetër, një ekspozitë e çelur posaçërisht për këtë ditë tregonte rrobat e mbajtura nga viktima të përdhunimit në momentin kur ka ndodhur sulmi. Protestueset marshuan drejt pallatit presidencial Malacanang duke përsëritur sllogane kundër Dutertes, i cili është tallur disa herë publikisht me përdhunimin dhe vitin e kaluar tha se kur ishte adoleshent, kishte prekur në mënyrë të pahijshme shërbyesen e shtëpisë.
Ndihmësit presidencialë janë përpjekur ta zbusin situatën duke këmbëngulur se komentet e Presidentit në fakt ishin shakara dhe si të tilla nuk duhen marrë seriozisht. Por, liderja e protestës, Joms Salvador, i tha AFP-së se të tilla pohime janë të papranueshme, qoftë edhe nëse vijnë në formën e shakasë.
“Zbatuesit e ligjit nuk i shohin si batuta këto komente, ata i marrin si prononcime në nivel politikash, ndërsa kriminelët nga ana tjetër marrin zemër”, deklaroi Salvador.
Sipas aktivisteve, një grua apo fëmijë përdhunohet çdo orë në Filipine sot, një rritje kjo e numrit të sulmeve në nivelin 153% krahasuar me dekadën përpara se Duterte të zgjidhej President.
Top Channel