Dhuna ndaj bluzave të bardha nuk po di të ndalet në vendin tonë. Rasti më i fundit është shënuar dje në spitalin rajonal të Lezhës, ku një pacient ka ushtruar dhunë ndaj mjekut Zef Doda, ndaj sot mjekët e spitalit të Lezhës kanë dalë për të protestuar për kolegun e tyre, por edhe duke kërkuar më shumë siguri në ushtrimin e misionit të tyre.
Dhuna e një dite më parë ndaj mjekut Zef Doda ka nxjerrë në protestë bluzat e bardha të spitalit.
Për një orë, mjekët kanë ndërprerë çdo shërbim në shenjë revolte ndaj dhunës së ushtruar ndaj kolegut të tyre.
Sipas mjekëve, pasojat e mungesave të medikamenteve, mjekëve specialistë, por edhe shërbimeve të tjera bëjnë që pacientë dhe familjarë të këtyre të fundit të ushtrojnë dhunë ndaj mjekëve.
Mjekët e Spitalit të Lezhës kanë paralajmëruar sërish protesta dhe një listë me kërkesa që duhen plotësuar nga Ministria e Shëndetësisë, pasi dhuna ndaj tyre po përsëritet gjithmonë dhe më shumë për të njëjtat arsye.
Top Channel